Agresion juridik ndërkombëtar ndaj një shteti të pavarur dhe sovran, e quan ish-gjyqtari i Kushtetueses, Kadri Kryeziu përpjekjen e Serbisë për juridiksion gjyqësor në Kosovë.
Ditë më parë, Qeveria e Serbisë e ka miratuar një projektligj i cili parasheh gjykime për krime që parashihen me Kodin Penal serb të kryera nga viti 2008 e tutje. Dokumenti i është propozuar për miratim Kuvendit në Serbi.Sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit kishte ndodhur më 24 shtator të vitit të kaluar, nga një grup i serbëve të armatosur.
Vendimin e Serbisë për këtë projektligj, Kryeziu e konsideron si hakmarrje ndaj sistemit të drejtësisë në Kosovë, pas fletëarresteve që autoritetet në Kosovë kanë lëshuar personat e përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë.
Në shtator, një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave.
Vendimi i Serbisë për këto veprime juridike ka nxitur reagime nga faktori ndërkombëtar.
Zëdhënësja Nabila Massaralli, tha për KosovaPress më herët gjatë javës se “Projektligji i propozuar nga Qeveria e Serbisë [për të shpallur Kosovën zonë të mbrojtjes së veçantë dhe për juridiksionin që autoritetet gjyqësore të ndjekin vepra penale në Kosovë] në mënyrën siç janë publikuar, paraqesin shkelje të qarta nga Serbia të obligimeve nga dialogu dhe bien në kundërshtim me përkushtimin e përsëritur së fundmi për dialogun”.
Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, veprimin e Serbisë e ka quajtur armiqësor e agresiv ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.