Ish-menaxhmenti i KEK-ut për periudhën 2006-2008 kanë raportuar para Komisionit Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022. Ata janë pyetur nga deputetët e pozitës e opozitës për blerjen e banesave që ishin në pronësi të KEK-ut dhe importimin e energjisë dhe kompetencave që ka pasur Korporata Energjetike e Kosovës. Ish-drejtoresha Pranvera Dobruna ka pranuar se e ka privatizuar një banesë, por sipas ligjit. Ish-menaxhmenti ka pranuar se aso kohe ka pasur edhe listë të uzurpatorëve.
Anëtari i Komisionit Hetimor nga Lëvizja Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci e ka pyetur Dobrunën nëse ka marrë banesë nga KEK-u.
Ish-drejtoresha e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Pranvera Dobruna tha se kjo është pyetje tendencioze, por ka pranuar se e ka privatizuar këtë banesë të mbi 100 metrave katror me vlerë vetëm 13 mijë euro.
“Po e kam privatizuar në vitin 2013 dhe vlera ka qenë 12-13 mijë euro”, është përgjigjur ajo.
‘Unë kam marrë banesë para luftës.
A e keni blerë pastaj?
Sepse në një listë të cilën e kemi poseduar janë mbi 40 drejtorë dhe desha të dijë saktësisht se ju a keni shfrytëzuar dhe a keni blerë pas lufte?
Të gjithë që i kanë shfrytëzuar banesat edhe ata që e kanë marrë para luftës edhe ata pas luftës e kanë blerë sipas ligjit.
Unë për vete nuk jam në dijeni që dikush jashtë KEK-ut ka marrë banesë, por e di që zakonisht ka qenë menaxhmenti që ka marrë një mendim të bordit, pasluftës po flas, paraluftës nuk kam informatë”, janë përgjigjur ata në pyetjet e Bajqinovcit.
Për banesat e KEK-ut ka folur edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i cili ka pyetur për listën e uzurpimeve.
Ish-drejtori financiar, Nagip Krasniqi ka pranuar se ka pasur banesa të uzurpuara.
“Po, ka pasur informata që disa banesa kanë qenë të uzurpuara edhe lokale, të cilat në atë kohë kanë qenë shumë vështirë me i realizu përmes rrugëve ligjore. Por, nëse e di saktë më vonë janë rikthyer një pjesë e tyre. Kështu, që ka pasur edhe banesa të uzurpuara në atë kohë... Po, lista ka ekzistuar nga Zyra Ligjore e Departamentit të Pronës, ka pasur informata se cilat janë banesat që janë në pronësi të KEK-ut e që nuk janë në posedim të KEK-ut”, ka thënë drejtori financiar.
Krasniqi tha se në kohën e tij nuk ka pasur ndarje të banesave.
“Në kohën kur kam qenë unë drejtor financiar, nuk e di saktë numrin e banesave, por ka qenë një numër i caktuar i banesave që kanë qenë në pronësi të KEK-ut dhe të cilat kanë qenë në shfrytëzim për t’iu dhënë punëtorëve dhe menaxhmentit të KEK-ut. Në atë kohë ka qenë një problem, nuk e di pse ka ndodhur, nuk ka qenë e përcaktuar shuma e qirasë që paguhet. Dhe për atë shkak nuk ka pasur faturime, nuk ka pasur pagesë. Këto banesa kanë qenë në shfrytëzim, përderisa pronësia ka qenë e KEK-ut”, ka thënë ai para anëtarëve të komisionit.
Derisa menaxhmenti i KEK-ut po intervistohej nga anëtarët e komisionit, deputeti Armend Muja i ka tërhequr vërejtjen ish- drejtoreshës Pranvera Dobruna.
“Unë nuk ta dhash fjalën ty, nuk ta dhashë fjalën ty, mos ndërhyjë. Vazhdo”, deklaroi Muja.
Muja theksoi se pyetjet i bën varësisht për personat që kanë qenë prezent në mbledhjen kur janë marrë vendime.
Kryesuesi i komisionit hetimor, Hajdar Beqa ka pyetur për blerjet që janë bërë aso kohe të energjisë elektrike.
“Në atë ndërmarrja KEK ka qenë me një ombrellë me menaxhimin dhe si njësi edhe prodhimi, edhe shpërndarja edhe shitja edhe blerja kanë qenë në të njëjtin ombrellë. Cili ka qenë roli i juaj në sigurimin e energjisë për konsumatorët, që lidhet me këtë pyetje, a ishte kërkesë e juaj apo e ndërkombëtarëve, në këtë rast UNMIK-ut dhe menaxhmentit të deleguar nga këta, blerja e energjisë elektrike. Si e keni bërë zgjidhjen për furnizim me energji për konsumatorët”, ka pyetur Beqa.
Po ashtu, ka shtuar se importi i energjisë elektrike ka qenë pesë për qind.
“Importi ka qenë mjaft i vogël, në atë kohë ka qenë 5 deri 6 për qind. Nuk ka qenë shumë i madh, por balancimin e kemi bërë me ABC. I kemi reduktuar ata që nuk kanë paguar. Kjo ka qenë mënyra se si ne e kemi menaxhuar, fatkeqësisht ashtu ka qenë. Gjërat prej tash 15 vjet prapa duken pak më ndryshe. Në atë kohë i kemi pasur këto blloqe ekzistuese, 15 vjet më të reja. Prandaj edhe besueshmëria e blloqeve ka qenë shumë më e mirë edhe kemi mund në bazë të bilancit energjetik me dit cilat blloqe kanë me qenë në punë edhe kemi mund të bazohemi në ato blloqe që kanë punuar për të kaluar sezonin, posaçërisht dimrin”, ka shtuar Dobruna.
Në mbledhjen e sotme të këtij komisioni hetimor, deputeti Armend Muja ka pyetur edhe për transaksionet që janë realizuar për blerjen e energjisë me një bashkëpunëtor të Sllobodan Millosheviqit.
“Në bazë të bilancit të energjisë që kemi marrë nga KOST ndërmjet 2006-2008, vërehet që ka pasur një transaksion goxha të madh, ose të vazhdueshëm ndërmjet KEK-ut, institucioneve të tjera të blerjes së energjisë dhe të EFT Group. EFT Group është ndërmarrja e Vukamoviq që ka qenë bashkëpunëtor i Millosheviqit, ndërmjet vitit 2006 dhe vitit 2009. Çka dini ju në atë kohë dhe a ju ka ra juve ndonjë propozim për vendimmarrje në lidhje me blerjen e energjisë dhe shitje të energjisë për EFT Group ndërmjet 2006-2008”, ka shtuar Muja në këtë komision.
Më tej, Muja ka vijuar me pyetjet edhe për vlerën e aseteve të asaj kohe.
“Vlera e aseteve të distribucionit të energjisë së KEDS-it, nëse do të ishte ndërtuar e re, ka qenë 562 milionë euro. Në ndërkohë që vlera aktuale është 239 milionë euro. A dëshironi ta shihni këtë dokument, a ju kujtohet ky dokument”, ka pyetur Muja.
Para anëtarëve të komisionit u tha se ky dokument është bërë para vitit 2006.
Udhëheqësit e menaxhmentit të asaj kohe kanë thënë se Nermina Rapi, Sherife Avdyli, Ramiz Agushi dhe Bekim Ahmeti janë marrë në atë periudhë me tregtimin, blerjen e energjisë dhe kontraktimin.
Nga anëtarët e Komisionit Hetimor janë pyetur edhe ofertuesit kryesor për import të energjisë elektrike, por ata kanë thënë se nuk u kujtohet se kush kanë qenë. /Sh.Pajaziti