Irani thotë se nuk do përshkallëzim rajonal, por Izraeli “duhet të ndëshkohet”
Lexohet për: 2 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Irani nuk po kërkon përshkallëzim të tensioneve rajonale, por beson se Izraeli duhet të ndëshkohet në mënyrë që të parandalohet paqëndrueshmëria e mëtejme.

Kështu tha më 5 gusht zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, pasi javën e kaluar në Teheran u vra shefi politik i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – Ismail Haniyeh.

“Irani kërkon që të ketë stabilitet në rajon, por kjo mund të arrihet vetëm me ndëshkimin e agresorit dhe të krijohet parandalim kundër aventurizmit të regjimit zionist [Izraelit]”, tha zëdhënësi Nasser Kanaani, duke shtuar se kundërpërgjigja nga Teherani është e pashmangshme.

Kanaani i bëri thirrje Uashingtonit që të mos e mbështesë më Izraelin, duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar ka dështuar që të mbrojë stabilitetin në rajon dhe duhet të mbështesë “ndëshkimin e agresorit”.

Edhe komandanti kryesor i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, Hossein Salami, sërish tha të hënën se Izraeli “do të ndëshkohet”.

Teherani dhe grupet e lidhura me Iranin, sikurse Hamasi dhe Hezbollahu, kanë akuzuar Izraelin për vrasjen e shefit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh. Zyrtarët izraelitë nuk kanë marrë përgjegjësinë për vrasjen./REL/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024