Ngushtica e Hormuzit, një rrugë detare me rëndësi globale për industrinë energjetike, ka qëndruar e mbyllur që nga fillimi i sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit (28 shkurt). Tani, Teherani dërgon sinjal shtensionimi.
Bllokada e Ngushticës së Hormuzit në Gjirin Persik është hequr, sipas deklaratave zyrtare iraniane. Rruga detare është hapur për trafikun tregtar ndërkombëtar, për aq kohë sa respektohet armëpushimi, njoftoi të premten në platformën digjitale X ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.
Tranziti në një itinerar specifik
Të gjitha anijet tregtare po kalojnë përmes një rruge të koordinuar, e cila tashmë është shpallur nga Organizata Iraniane e Porteve dhe Detit, sqaroi më tej Araghtchi. Qindra cisterna nafte dhe anije mallrash kanë mbetur të bllokuara në Gjirin Persik për javë me radhë.Trumpi konfirmon hapjen e Ngushticës së Hormuzit
Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi në platformën e tij online Truth Social se rruga detare është sërish e hapur. Megjithatë, bllokada ushtarake amerikane e porteve iraniane do të mbetet në fuqi për momentin, tha ai. Kjo do të vazhdojë derisa negociatat me Iranin të kenë përfunduar 100%. Presidenti amerikan shtoi se procesi duhet të ecë shumë shpejt përpara, pasi shumica e pikave tashmë janë negociuar. Marina e SHBA-së, nga ana e saj, e kishte nisur bllokadën detare në Ngushticën e Hormuzit të hënën.