Investimet e BE-së në arsim, mundësi për të rinjtë kosovarë që të hyjnë në ambientet që janë me standarde evropiane
Lexohet për: 3 min.
Schuzyng-290724
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka vizituar të hënë kantierin e objekteve të reja për Fakultetin e Matematikës dhe Shkencave Natyrore të Universitetit të Prishtinës, në të cilën ka parë nga afër punimet që po bëhen në këtë objekt.

Ambasadori Szunyog derisa është shprehur i lumtur me ndërtimin e këtij objekti, shpreson se studentët e rinj të mund të vijnë në ndërtesë për të studiuar tashmë në vitin akademik duke filluar nga tetori i 2025-ës. Në këtë drejtim, ai nënvizoi se në një mënyrë përmes këtyre nismave po ndihmohen të rinjtë kosovarë që të hyjnë në ambientet që janë me standardet evropiane.

Pas vizitës me rektorin aktual të UP-së, Qerim Qerimi, Szunyog shton se BE mbetet donatori më i madh për Kosovën, dhe ka theksuar se ky është rezultat i prekshëm, jo vetëm për këtë punë ndërtimore, por edhe për të ardhmen e Kosovës, në këtë rast studentët.

“Mbaj mend, mendoj se ishte më pak se dy vjet më parë në kohën e dimrit, kur ne në fakt hodhëm hapat e parë këtu dhe nuk kishte asgjë, kështu që pas 18 muajsh tashmë mund të shihen ndërtesat e përfunduara. Çfarë kam kuptuar unë duke folur me kolegët tanë është se ndërtesa do të përfundonte brenda një viti dhe shpresojmë që studentët e rinj të mund të vijnë në ndërtesë për të studiuar tashmë në vitin akademik duke filluar nga tetori 2025. Pra, është me të vërtetë një kënaqësi të shoh diçka që është bërë së bashku nga BE-ja dhe gjithashtu Universiteti i Prishtinës dhe Ministria e Arsimit, dhe sigurisht, do të vlerësoja gjithashtu punën e mirë të partnerit tonë zbatues UNOPS”, tha Szunyog.

Ambasadori Szunyog tha se kjo nismë është veçanërisht interesante për ata që duan të punojnë në fushën e IT-së ose TIK-ut.

“Është një shembull i ndihmës së BE-së për Kosovën, BE-ja është donatori më i madh për Kosovën. Ky është një rezultat i prekshëm, jo vetëm për këtë punë ndërtimore, por edhe për të ardhmen e Kosovës për studentët. Pra, kuptoni se kjo është veçanërisht interesante për ata që duan të punojnë në fushën e IT ose TIK. Mendoj se në njëfarë mënyrë po i ndihmojmë të rinjtë kosovarë që të hyjnë në ambientet që janë me standardet evropiane dhe mund t'u mundësojmë të studiojnë më mirë”, ka shtuar Szunyog.

Ndërsa, falënderues ndaj ndihmës së BE-së janë shprehur edhe rektori, Qerim Qerimi bashkë me punëtorët që po kryenin punën në këtë objekt.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024