Banka Qendrore e Rusisë nuk e ka frenuar rritjen e çmimeve me norma të larta interesi dhe mund të ngadalësojë rritjen ekonomike, paralajmëron një institut ekonomik kryesor pranë qeverisë.
Në tetor, banka qendrore ngriti normën bazë të interesit në 21 për qind, niveli më i lartë në më shumë se 20 vjet, duke shpjeguar se synon të frenojë inflacionin, i cili aktualisht qëndron në 8.6 për qind dhe vuri në dukje se qytetarët presin inflacion të lartë.
“Niveli i lartë aktual i normës bazë të interesit dhe synimi i sinjalizuar (i bankës qendrore) për t'i rritur ato në një nivel edhe më të lartë kanë krijuar rrezikun e rënies ekonomike dhe kolapsit të investimeve në të ardhmen e afërt”, paralajmëroi instituti TsMAKP, i cili këshillon qeverinë.
Pesha e kompanive prodhuese me barrë të rrezikshme të shërbimit të borxhit, nga dy të tretat e fitimit para interesit dhe taksave, do të dyfishohet në 20 për qind, vlerësojnë ekonomistët, me rrezikun e problemeve me shërbimin e detyrimeve financiare dhe falimentimin.Në të njëjtën kohë, politika e rreptë monetare nuk ndikon ndjeshëm në 'motorët' kryesorë të inflacionit, si rritja e kostove të pagesave ndërkufitare për shkak të sanksioneve perëndimore, çmimet më të larta të ushqimeve të importuara dhe rritja e çmimeve të rregulluara të shërbimeve komunale, thekson instituti.
“Për shkak të lëvizjeve të bankës qendrore, ekonomia ruse në fakt kërcënohet me stagflacion (stagnim) apo edhe recesion të kombinuar me inflacion të lartë”, paralajmëroi TsMAKP.