Familjarë, kolegë, politikanë, profesorë, si dhe shumë qytetarë, i dhanë të martën lamtumirën e fundit profesorit Minir Dushi i cili vdiq një ditë më parë. Ata bënë homazhe para arkivolit të tij në Shtëpinë e Kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë.
Për ta nderuar akademik Dushin, homazhe bëri edhe ish-drejtori i minierës me flotacion Trepça, Burhan Kavaja, i cili veç tjerash, të ndjerin e quajti patriot dhe burrë i cili me 18 vepra të shkruara mban vendin e parë në Akademinë e Kosovës.
Akademik Fejzullah Krasniqi, ish-koleg i Dushit, tha se veprën të cilën e ka lënë profesori, e bënë atë të pavdekshëm.
“Njeri i veçantë i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për shkencën në Kosovë, në veçanti për shkencat e tokës, miniera. Inxhinieri dhe doktori i parë i shkencave teknike…Veprën që ka lënë profesori Minir, e ka bërë atë të pavdekshëm”, theksoi Krasniqi.“Një njeri që vërtetë ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Trepçës dhe Mitrovicës, por edhe të mbarë Kosovës e Shqipërisë”. /A. Damati