Instituti për Krimet e Kryera në Kosovë nënshkruan marrëveshje me Arkivin e Shqipërisë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
3 orë më parë
Linku u kopjua
Instituti për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë nënshkruan sot marrëveshje bashkëpunimi për pasqyrimin e krimeve të luftës në Kosovë.
Kjo marrëveshje njëherësh do të forcojë lidhjet institucionale ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duke kontribuar në dokumentimin dhe ruajtjen e të vërtetave historike, lidhur me krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.
Drejtori ekzekutiv i Institutit për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi tha se kjo marrëveshje mundëson shkëmbimin e materialeve arkivore dhe ekspertizës ndërmjet dy institucioneve dhe do të kontribuojë për të plotësuar mozaikun e së vërtetës historike të Kosovës.
Ndërsa, kryetari i Arkivit të Shqipërisë, Ardit Bito theksoi se marrëveshja e nënshkruar sot do të ndihmojë për dokumentimin e krimeve të luftës të kryera.
Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë është pikë grumbullimi e dëshmive të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, dhe qendër ku të gjithë mund të japin kontributin e tyre për të vërtetën historike, drejtësinë dhe paqen.