Inspektorati i Punës ka gjobitur Teatrin Kombëtarë të Kosovës në vlerë prej 1 mijë euro. I gjithë aksidenti duket se u fsheh për disa muaj, pasi drejtues të Teatrit Kombëtar nuk e raportuan rastin në Inspektorat. Megjithatë, pas interesimit të KosovaPress-it, ata njoftuan inspektoratin, gjë që rezultoi me shqiptimin e asaj gjobe.
Gjatë hulumtimit të KosovaPress-it, lidhur me një rast që ka ndodhur në fund të vitit të kaluar, ku një punëtor ka mbetur i lënduar në vendin e punës, pasi ka thyer këmbën dhe nuk ka qenë në gjendje të punojë, i njëjti i është detyruar t’i nënshtrohet një intervenimi kirurgjik, ku ende nuk është rikuperuar. Ndonëse, sipas ligjit, punëdhënësi ka qenë i detyruar ta lajmërojë rastin në inspektorat, i njëjti nuk e ka bërë këtë me kohë.
“Punëdhënësi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, me adresë: sheshi Nëna Tereza pa nr. Prishtinë, lidhur me aksidentin në vend pune, në TKK, me datë 18.12.2023, në të cilin aksident ka pësuar lëndime trupore punonjësi, Sherif Sahiti. Në cilësinë e personit juridik është përgjegjës: Për cenimin e dispozitës se nenit 23 paragrafit l të Ligjit Nr. 04/LI61 për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, e sanksionuar me dispozitën e nenit 25 të Ligjit Nr. 04/L-161 për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, i shqiptohet gjoba në lartësi prej njëmijë euro (1000) euro. Bazuar në pikën. I të këtij vendimi, shqiptohet gjoba në lartësi prej njëmijë (1000) Euro”, thuhet në vendimin e dërguar nga Inspektorati.
E para se Inspektorati të nis hetimin, KosovaPress ka kontaktuar drejtorin e Teatrit Kombëtar, Kushtrim Sheremeti, i cili fillimisht nuk ka raportuar rastin, duke ia hedhur atë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), kinse ajo duhet ta raportojë. Megjithatë, pas insistimit të KosovaPressi-it, duke ia cekur dhe dërguar edhe nenin ku përcaktohet përgjegjësia e punëmarrësit, ai ka ndryshuar deklaratën duke pranuar përgjegjësitë e tij. Para se të pranojë përgjegjësinë, është pyetur nëse është duke u merr me rastin, ai ka vazhduar ta pohojë këtë.