Iniciativa për Progres (INPO) ka analizuar ndikimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritjen e pagës minimale në kontekstin e zbatimit të kontratave të prokurimit publik.
“Megjithëse INPO përkrah rritjen e pagës minimale dhe çdo politikë tjetër e cila i kontribuon përmirësimit të kushteve të jetesës së qytetarëve, shikuar nga një perspektivë tjetër, ky vendim mund të ketë një ndikim të theksuar në veprimtarinë e operatorëve ekonomik të cilët kanë të lidhura kontrata për shërbime me autoritetet kontraktuese”, thuhet në reagim.
“Nga analiza një numri kontratash kornizë për shërbime për të parë nëse politikat e reja të Qeverisë mund të implikojnë detyrime financiare shtesë për bizneset që janë në marrëdhënie kontraktuale me autoritetet kontraktuese, INPO ka kuptuar për efektet e këtyre ndryshimeve në zbatimin e kontratave. Shembujt e analizuar nga kontratat për shërbime tregojnë se pagat e planifikuara në shumën ekuivalente të pagës minimale të mëparshme, në rrethanat e tanishme të rritjes së përcaktuar nga qeveria do të rezultojnë me kosto shtesë për operatorët ekonomik të cilët kanë kontrata aktive”, thuhet në reagimin e INPO-s.
“Gjithashtu, vlerësojmë për nevojën e një dialogu të hapur dhe për mundësinë e rishikimit të politikave të prokurimit për evituar ndikimet e paparashikueshme në menaxhimin efektiv të punëve publike, si dhe do të garantohet që operatorët ekonomikë të kenë kapacitete të mjaftueshme në përmbushjen e angazhimeve të kontraktuara”, thuhet në fund të reagimit.