Inflacioni vjetor në BE dhe eurozonë u ngadalësua në nëntor
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Inflacioni në Bashkimin Evropian dhe në Eurozonë u ngadalësua me bazë vjetore në nëntor, por norma është ende dyshifrore - ishte 11.1 për qind në nivel të BE-së dhe 10.1 për qind në Eurozonë, sipas të dhënave të Eurostat.

Norma vjetore e inflacionit në BE, e matur me indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit (IHÇK), ishte 11.1% në nëntor, pasi arriti në 11.5% në tetor, sipas raportit të Eurostat.

Në nëntor të vitit të kaluar, norma e inflacionit ishte 5.2%. Në eurozonë, norma vjetore e inflacionit u ul në 10.1% në nëntor, ndërsa 10.6% në tetor. Në nëntor të vitit të kaluar, norma vjetore e inflacionit në eurozonë ishte 4.9 për qind.

Ngadalësimi i inflacionit në nëntor në eurozonë reflekton ngadalësimin e rritjes së çmimeve të energjisë, të cilat në nëntor ishin 34.9 për qind më të larta se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Gjegjësisht, në muajin tetor, në nivel vjetor çmimet e energjisë janë rritur për 41.5 për qind.

Çmimet e ushqimeve, pijeve dhe duhanit janë rritur për 13.6 për qind krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar, ndërsa në tetor të këtij viti janë rritur për 13.1 për qind.

Në nivel mujor, çmimet e konsumit në muajin nëntor kanë qenë 0.1% më të larta në nivel të BE-së dhe në eurozonë janë ulur me të njëjtën përqindje, tregojnë të dhënat e Eurostat.

Krahasuar me muajin tetor, norma vjetore e inflacionit është ulur në 16 vende anëtare të BE-së dhe është rritur në tetë vende, përfshirë Kroacinë. Në tri vende, ajo mbeti në nivelin e tetorit.

Hungaria pati normën më të lartë vjetore të inflacionit në nëntor, 23.1%. Pas saj vjen Letonia me inflacion prej 21.7 për qind dhe fqinjët baltik Estonia dhe Lituania, ku norma e inflacionit ishte 21.4 për qind.

Në Kroaci, norma vjetore e inflacionit, e matur me IHÇK, ishte 13 për qind në nëntor, që është 0.3 pikë përqindjeje më e lartë se në tetor. Në nëntor të vitit të kaluar ishte 4.7 për qind.

Italia, ekonomia e tretë më e madhe dhe një partner i rëndësishëm tregtar i Kroacisë, ishte më afër Kroacisë për sa i përket normës së inflacionit në muajin nëntor, ku norma e inflacionit mbeti në nivelin 12.6 për qind, si një muaj më parë.

Në Gjermani, ekonomia më e madhe evropiane dhe gjithashtu një partner i rëndësishëm tregtar i Kroacisë, ajo arriti në 11.3 për qind dhe ishte 0.3 pikë përqindje më e ulët se një muaj më parë.

Spanja regjistroi rritjen më të dobët të çmimeve të konsumit në nëntor, me 6.7 për qind, Franca me 7.1 për qind dhe Malta me 7.2 për qind.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024