Inflacioni në Eurozonë arriti një rekord të ri në qershor, pak përpara rritjes së parë të normave të interesit nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) në 11 vjet.
Norma e inflacionit në zonën e monedhës së përbashkët ishte 8.6 për qind me bazë vjetore muajin e kaluar, krahasuar me 8.1 për qind në maj, sipas vlerësimit paraprak të sotëm të zyrës evropiane të statistikave, Eurostat.
Gjermania befasoi si ekspertët ashtu edhe publikun e gjerë këtë javë, duke raportuar se në qershor regjistroi një rënie të inflacionit vjetor me 0.5 pikë përqindjeje në 8.2 për qind krahasuar me majin.
Ekspertët thonë se ky është rezultat i subvencioneve të reja të qeverisë për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimit të energjisë tek familjet, por kjo nuk do të thotë se rritja e inflacionit në atë vend ka marrë fund.
BQE, e cila ka premtuar se do të përballet me rritjen e çmimeve, duhet të mblidhet në fund të korrikut dhe të marrë një vendim për shtrëngimin e kushteve të huamarrjes.
Banka qendrore e eurozonës ka njoftuar një tjetër rritje të normës për shtator, që do të thotë se normat e saj bazë të interesit mund të kthehen në territor pozitiv këtë vit. BQE ka pasur norma negative që nga viti 2014.