Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) e ka inauguruar sot objektin e ri me emrin “Shtëpia e Futbollit”, projekt ky i cili ishte financuar nga FIFA dhe UEFA.
Prezent në këtë inaugurim ishin presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i pari i FSHF-së, Armand Duka dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Duka tha se ky kompleks i ndërtuar përçon një mesazh tejet të rëndësishëm, që tregon se sa i rëndësishëm është futbolli, sporti dhe futbolli në veçanti.
“Para pak vitesh ishte eutopike të mendoje për një qendër të tillë, madje për dikë ishte një ëndërr luksoze e panevojshme, por unë kam besim dhe jam i bindur se sot gjithkush mendon se kemi bërë shumë mirë. Ky projekt, ky kompleks i ndërtuar këtu nuk është thjeshtë, padyshim që është i nevojshëm, i domosdoshëm dhe do të ndihmojë para së gjithash ndërtimin e futbollit, por nuk është thjeshtë një godinë, nuk është thjeshtë një fushë apo një palestër, është një mesazh i rëndësishëm se sa i rëndësishëm është futbolli, sporti në përgjithësi dhe futbolli në veçanti”, tha Duka.
“Pas 90 vitesh qysh prej kur Federata Shqiptare është anëtare e FIFA-s, kishte ardhur koha që së bashku me bashkëpunimin e të gjithëve, të qeverisë, të UEFA-s dhe të FIFA-s, së bashku si ekip futbolli ia dalim ta fitojmë këtë sfidë dhe të krijojmë këtë shtëpi të mrekullueshme të futbollit, e cila është shtëpi për të gjitha vajzat dhe djemtë që e duan futbollin që e duan këtë vend të shkëlqyeshëm siç është Shqipëria e që do të jap edhe më shumë burime edhe më shumë pasion të gjithë të rinjve dhe që projekton Federatën Shqiptare dhe Shqipërinë në një epokë të re”, tha Infantino.
Po ashtu, i pari i FIFA-s tregoi që Shqipërinë e kishte vizituar para 20 vitesh, por ajo çfarë e sheh sot nuk është 20 vite pas, por 2,000 vite drite pas.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka po ashtu tregoi se projekti “Shtëpia e Futbollit” nuk ka përfunduar ende, pasi që pritet edhe ndërtimi i hotelit në të cilin do të akomodohen futbollistët tanë si dhe futbollistët e ekipeve apo kombëtareve të tjera që janë në rolin e mysafirit.
Ndërkaq, Duka bëri të ditur se ky projekt ka kosto prej 10.5 milionë eurosh, nga të cilat 6.25 milionë euro janë subvencionuar nga FIFA, 2 milionë euro nga UEFA dhe 2 milionë euro nga Federata Shqiptare e Futbollit.