Ilir Peci i Zveçanit nuk e do shkarkimin: Në rast të zgjedhjeve të reja, e di se nuk mund të fitoj
Lexohet për: 2 min.
peci-161223
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, thotë se në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të reja, është i vetëdijshëm për humbjen e tij.

 Ai gjatë një interviste për KosovaPress, u shpreh se gjithçka mbetet të shihet në të ardhmen dhe varësisht nga zhvillimet politike, do të vendos për hapat e mëtejmë, sa i përket kërkesës së qytetarëve për inicim të peticionit rreth shkarkimit.

Peci, i cili po vazhdon të kryej detyrën e kryekomunarit nga një zyrë alternative në fshatin Kelmend, tha se në rast të zgjedhjeve të reja, ai do të humb, ndonëse nuk është i sigurt nëse do të kandidojë sërish, për shkak se siç tha ai, kjo varet nga partia.

I pari i Komunës së Zveçanit flet edhe për raportet me qeverinë, të cilën e akuzoi për mos interesim të duhur për ta mbështetur nga fillimi në punën e tij. 

Sipas tij, Komuna po përballet me vështirësi të shumta, duke potencuar mungesën e hapësirave si sfidën kryesore.

Ai theksoi se për këto shtatë muaj ka arritur t’i realizojë 80 për qind të kërkesave të qytetarëve të kësaj komune pa dallim, duke përmendur ndriçimin publik në Banjskë, ndihmën financiare për personat  me sëmundje të rënda dhe për foshnjet e lindura gjatë këtij viti, pastrimin e rrugëve të ndryshme etj.

Megjithatë, shtoi ai, edhe pse buxheti komunal prej 3 milionë euro ka qenë i mjaftueshëm, Komuna nuk ka arritur t’i realizojë të gjitha kërkesat e qytetarëve deri tani, për shkak të kohës së shkurtër dhe vështirësive të ndryshme.

Ndryshe, kryetari i Zveçanit Ilir Peci, së bashku me atë të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, të cilët vijnë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, kryejnë detyrat e tyre nga objektet alternative, derisa kryetari i Mitrovicës Veriore, Erden Atiq  dhe Lulzim Hetemi që udhëheqë me Leposaviqin, të dy këta nga Vetëvendosje, ushtrojnë detyrën nga objektet komunale.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024