Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se rreziku nga infeksioni me Hantavirus për qytetarët në Kosovë dhe në vendet e BE/EEA vlerësohet shumë i ulët, pavarësisht rasteve të fundit të raportuara në një anije kroçierë në Atlantikun Jugor.
Sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), deri më 6 maj 2026 janë raportuar shtatë raste me Hantavirus në një anije kroçierë, përfshirë tre viktima, ndërsa në disa mostra është konfirmuar virusi Andes (ANDV), i cili është endemik në Argjentinë.
Instituti bën të ditur se ethet hemorragjike me sindromë veshkore, të shkaktuara nga hantaviruset, nuk janë sëmundje e re në Kosovë dhe numri i rasteve të raportuara ndër vite mbetet i ulët dhe i qëndrueshëm. Gjatë periudhës 2021–2025 në Kosovë janë raportuar gjithsej tetë raste.
Hantaviruset transmetohen nga brejtësit te njerëzit, kryesisht përmes kontaktit me urinën, fekalet ose pështymën e brejtësve të infektuar. Simptomat përfshijnë temperaturë, lodhje, dhimbje muskujsh dhe në raste më të rënda dëmtim të veshkave ose probleme respiratore.Instituti rekomandon shmangien e kontaktit me brejtësit, pastrimin dhe ventilimin e ambienteve të mbyllura, si dhe përdorimin e maskave dhe dorezave gjatë pastrimit të hapësirave ku mund të ketë brejtës.