IKSHPK: Mangani ende i pranishëm në ujin e Liqenit të Badovcit
Lexohet për: 4 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) bën të ditur se pavarësisht rënies së vlerës së manganit në ujin e Liqenit të Badovcit, ende nuk është arritur vlera standarde që lejon konsumimin e tij. Vlera e lejuar për përdorim të ujit për pije është 0.05 mg për litër, derisa sipas analizave të bëra nga ky institucion, gjatë katër ditëve të fundit, del se vlera është 0.058 deri në 0.19 miligramë për litër.

Në një konferencë për media, koordinatorja për monitorimin e ujit në IKSHP, Burbuqe Nushi thekson se uji i liqenit të Badovcit mund të përdoret për të gjitha veprimtaritë e tjera ditore, duke përfshirë higjienën personale dhe mjedisore, përdorim të ushqimet etj.

Nushi tha se dëshirojnë t’i sigurojnë qytetarët se IKSHPK në bashkëpunim me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, po punojnë brenda mundësive të tyre që vlerat e manganit të ulen, në mënyrë që të mundësohet përdorimi i tij për pije.

Ndër të tjera, koordinatorja e qendrës së ujit, Burbuqe Nushi theksoi se Liqeni i Batllavës -Fabrika e Ujit në Albanik (Shajkovc) si dhe Liqeni i Ujmanit nëpërmjet kanalit të Mihaliqit, gjegjësisht trajtimi në Fabrikën e Ujit në Shkabaj, në regjionin e Prishtinës, i plotëson kriteret e parapara për pije.

Ajo shtoi se testohet edhe uji i ambalazhuar i prodhuesve të ndryshëm, sipas kontratave të operatorëve me IKSHPK-në.

Përmes konferencës, IKSHPK rikujtoi se misioni kryesor i tij është mbrojtja dhe përparimi i shëndetit të popullatës dhe ky qëllim sigurohet përmes aktiviteteve dhe mbështetjes së plotë në ligjet aktuale në fuqi, të cilat janë të përafruara me legjislacionin evropian.

Tash e tri javë, qytetarët të cilët kanë si burim të ujit të pijes, Liqenin e Badovcit po përballen me vlerën e lartë të manganit, që po u krijon probleme në mos konsumimin e tij.

Mangani është një element kimik që gjendet në ujë, e që mund të shkaktojë erë dhe shije të keqe dhe po ashtu shkakton telashe në sistemin e kanalizimit.

Sipas KRU “Prishtina”, zonat që do kenë çrregullime në sistemin e furnizimit me ujë janë po të njëjtat zona të prekura javët e fundit nga niveli i lartë i manganit në liqenin e Badocit.

“Autobotët janë në terren vazhdimisht për të shpërndarë ujë të pijshëm për pije dhe përgatitje ushqimi”, thuhet në njoftim.

Zonat të cilat mbesin nën përcjellje të vazhdueshme për cilësinë e ujit për pije nga Fabrika e ujit në Badovc janë të njëjtat:

Qyteza e Graçanicës, fshatrat e Graçanicës që furnizohen nga ITUP Badovc, përveç fshatrave që furnizohen nga NJOU Lipjan, Hajvalia komplet, lagjet Veterniku, lagjet 038 dhe të gjitha të tjerat që gravitojnë në brezin Graçanicë – Prishtinë, pastaj lagjet Qëndresa, Qëndresa Home, Sëiss Village, fshatrat Preoc, Çagllavicë, rruga “Behar Begolli”, “Richard Holbrooke”, Qendra “Albi Mall”, rruga “Shkupi”, “Holger Petersen”, “Malush Kosova”, objektet individuale nga rruga “Malush Kosova”, deri te “kisha në Matiçan”, zonat në drejtim të zonës industriale drejtimi për Lipjan, lagjja “Qershia”, lagjja “NIC”, zona afër xhamisë në Veternik, Matiçan drejtimi nga Pallati i Drejtësisë, fshati ndërkombëtar, Mati- rruga “Muharrem Fejza” me të gjitha rrugicat drejtimi deri te QKUK, rruga “Enver Maloku”, objektet në lagjen “Kodrina”, objektet “Tregtia”, “Iliria Building”, objektet e “Standardit” (Sociale) dhe objektet e kyçura direkt në linjat magjistrale Badovc Prishtinë, rruga “Ferat Dragaj”, “Hajrullah Abdullahu”, “Hilmi Rakovica”, “Vëllezërit Gërvalla”, “Afrim Zhitija”, “Armend Daci”, “Dervish Rozhaja”, “Thimi Mitko”, pjesa e zonës “Te Xhambazët”, rruga “Sali Nivica”, “Norbert Jokl”, “Thimi Mitko”, objektet banesore në “Bregun e Diellit” zonat Qendër dhe zonat e tjera afër Qendrës Tregtare në brezin rrugor “Xheladin Rekaliu” deri te kryqëzimi i rrugës te konviktet, zonat afër shkollës “Ismail Qemali”, rrugët “Mehmet Gradica”, “Hyzri Talla”, “Qamil Bala”.Bashkëveprimi i IKShPK/QU dhe KRU-ve me institucionet shtetërore është në kontinuitet deri në qetësimin e situatës. /Z.Zeneli/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024