Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) i bën thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) që në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore të tij, të shpallë konkursin për Kryeprokuror të ri të Shtetit. Shpallja e këtij konkursi dhe zhvillimi i një procesi meritor do të ishte një sinjal adekuat i shenjave pozitive të reformës në KPK.
“Kosova është pa Kryeprokuror të Shtetit që nga prilli i vitit 2022. Kështu, tani po bëhen katër (4) vjet që kur Prokurori i Shtetit funksionon me u.d. të Kryeprokurorit të Shtetit. Më 17 tetor 2023, Presidentja e Republikës së Kosovës ka njoftuar se nuk e ka dekretuar kandidatin e propozuar nga KPK për Kryeprokuror të Shtetit, duke e kthyer këtë proces në KPK. Fatkeqësisht, që nga ajo kohë, KPK nuk ka vepruar në drejtim të zhvillimit të një procesi meritor dhe transparent për përzgjedhjen e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit”, thuhet në njoftimin e IKD-së.
“Për këtë arsye, IKD i bën thirrje KPK që sa më parë që është e mundur të shpallë konkursin për Kryeprokuror të ri të Shtetit duke përmbushur këtë pozitë e cila ka mbetur vakante për afër 4 vjet”, thuhet në komunikatë.
Në të kundërtën, sipas IKD-së, vazhdimi i kësaj gjendjeje do të thellonte më tej zbrazëtinë institucionale në krye të Prokurorit të Shtetit dhe do të dëmtonte besimin publik në funksionimin e pavarur dhe efektiv të vetë KPK.