Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se joparlamentare sjelljen në Kuvendin e Kosovës gjatë sesionit pranveror.
Sipas IKD-së, sesioni pranveror i Kuvendit ka filluar me 54 pikave të rendit të ditës, të cilat në vitin 2022 në mungesë të kuorumit dhe dështimit të dhjetëra seancave nuk janë votuar nga Kuvendi.
Sipas raportit të IKD-së, sesioni pranveror është karakterizuar nga mungesa e vazhdueshme e kuorumit në seancat parlamentare.
“Rrjedhimisht, puna e kuvendit të Kosovës u përcjell me seanca të papërfunduara dhe me vazhdime të shumta të seancave. Nga totali i seancave të rregullta, 41% e tyre u përcollën me më së paku dy vazhdime dhe më së shumti me katër vazhdime. Këto vazhdime të seancave morën epilog final vetëm dy ditë para përfundimit të sesionit pranveror, 27 korrik 2023.Përveç mungesës së kuorumit në seanca parlamentare, mungesë të kuorumit pati edhe në Kryesinë e Kuvendit. Kryesisht kjo u shkaktua nga bojkoti i njoftuar nga ana e dy nënkryetarëve të dy grupeve parlamentare opozitare. Po ashtu, Kryesia e Kuvendit vazhdon të mos jetë e kompletuar për arsye të mos propozimit të nënkryetarit nga ana e Listës Serbe.”, është bërë e ditur nga IKD.
Seanca ku është shpërfaq një praktikë e tillë e shkeljes së Rregullores së Kuvendit, sipas raportit. ka qenë seanca e datës 13 korrik 2023, ku fillimisht nuk është votuar rendi i ditës dhe më pas është hyrë në seancë të jashtëzakonshme pa marrë miratimin formal të seancës plenare ashtu siç kërkohet sipas Rregullores së Kuvendit.
“Formën e thirrjes dhe mbajtjes së kësaj seance, duke pretenduar në shkelje të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, grupi parlamentar i PDK-së me 20 korrik 2023 e dërgoi për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese dhe me kërkesën për anulimin e kësaj seance. Në të njejtën seancë, puna e Kuvendit u përcollë me përplasje fizike ndërmjet kabinetit të Qeverisë, deputetëve të opozitës dhe të shumicës parlamentare. Prokuroria Themelore në Prishtinë ftoi për intervistim zv. Kryeministrin Besnik Bislimi, Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, deputetët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, Bekim Haxhiu dhe Hajdar Beqa. IKD, konsideron se një praktikë e tillë e sjelljes së deputetëve është në kundërshtim me standardet e larta profesionale dhe etike të cilat janë parakusht për të ndërtuar besim të publikut në punën e përfaqësueve dhe në integritetin e tyre. Në këtë situatë, pas krijimit të rrëmujës dhe përplasjeve fizike ndërmjet kabinetit qeveritar me disa deputetë të opozitës, Kryetari i Kuvendit ka thirrur brenda sallës policinë dhe ka vazhduar të mbajë seancë plenare, përkundër se në këto situata, Rregullorja e Kuvendit kërkon pezullimin dhe vazhdimin e seancës në një ditë tjetër.”, është bërë e ditur tutje.
“Në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, ata kanë munguar gjatë parashtrimit të pyetjeve parlamentare. Këtu prijnë Zv. Kryeministrja Donika Gërvalla-Schëarz, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe Ministri i Mjedisit, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj. Krahas kësaj shkeljeje, edhe Kryetari i Kuvendit ka vazhduar të mos e zbatojë Rregulloren e Kuvendit sa i përket dhënies së vërejtjeve ndaj anëtarëve të Qeverisë dhe Kryeministrit kur ata mungojnë dhe nuk e njoftojnë Kryetarin për mungesën e tyre gjatë parashtrimit të pyetjeve nga deputetët. Në asnjë nga seancat plenare, siç kërkohet me Rregulloren e Kuvendit, Kryetari i Kuvendit nuk ka tërhequr vërejtje publikisht, për kabinetin qeveritar për qasjen mospërfillëse ndaj Kuvendit dhe deputetëve. Në anën tjetër, në dhjetëra raste, IKD ka gjetur se përkundër faktit që deputetët janë njoftuar se është radha e tyre për të parashtruar pyetjet parlamentare, të njëjtit nuk kanë qenë prezent në sallë të Kuvendit për të parashtruar pyetjet.”, është bërë e ditur.
Në lidhje me aktivitetin legjislativ, sipas raportit, puna e Kuvendit është përcjellë me joefikasitet.
Në anën tjetër, përkundër faktit që kanë kaluar afatet e parapara me Rregulloren e Kuvendit, siç ka vlerësuar IKD, ende nuk janë miratuar gjashtë projektligje nga viti 2021, 12 projektligje nga viti 2022 dhe gjashtë projektligje nga viti 2023.
“Sa i përket transparencës, mbledhjet e komisioneve parlamentare vazhdojnë të mos transmetohen live nga Kuvendi. Në anën tjetër përkundër vërejtjeve dhe kërkesave të IKD-së, Kuvendi ende nuk e ka funksionalizuar votimin elektronik duke pamundësuar informimin e qytetarëve për mënyrën se si kanë votuar deputetët. Vlen të theksohet se përkundër që me Rregulloren e Kuvendit është obligative edhe publikimi i rezultateve të “votimit me dorë”, një gjë e tillë nuk është duke ndodhur. Puna në seancat parlamentare është karakterizuar edhe nga gjuha joparlamentare e përdorur nga anëtarët e Qeverisë dhe nga deputetët e Kuvendit duke krijuar diskutime të polarizuara ndërmjet deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe po ashtu ndërmjet deputëve dhe kabinetit qeveritar. Në disa raste, anëtarët e qeverisë përdorën gjuhë seksiste ndaj deputetëve, pastaj fjalët tradhtar, hipokrit, mashtrues, gënjeshtar, rrenc janë fjalët që janë përmendur nga anëtarët e qeverisë dhe deputetët, fjalë të cilat nuk përkojnë me gjuhën parlamentare dhe standardet minimale të sjelljes parlamentare. Në këso situata, miratimi i një kodi të sjelljes për deputetët e Kuvendit do të duhej të ishte në agjendën e Kuvendit si prioritet. Përkundër faktit që një kod i tillë parashihet edhe me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, i njëjti ende nuk është miratuar. Ky kod do të duhej që mjaftueshëm të përshkruajë natyrën e përgjithshme dhe të veçantë të sjelljeve jo parlamentare të deputetëve. Miratimi i një kodi të tillë do të shprehte vlerat e përbashkëta dhe parimet kryesore të cilat do ta orientonin dhe vlerësonin sjelljen e deputetëve.”, është potencuar tutje.
“Me 30 dhjetor 2022, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi një dispozitë të Ligjit në fuqi për Skemat Pensionale — përkatësisht paragrafin 2 të nenit 8 të këtij ligji. Kjo dispozitë, në mënyrë diskriminuese, u’a ndaloi mijëra qytetarëve, të cilët nuk e përmbushin kriterin e përvojës së punës prej 15 vitesh para janarit të vitit 1999 ta marrin pensionin kontributdhënës. Atyre u lejohej vetëm pensioni i moshës. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi pas kërkesës së Gjykatës Supreme, ku kishte ngritur dyshime për kushtetuetshmërinë e kësaj dispozite. Gjykata Kushtetuese e obligojë Kuvendit që ta miratojë Ligjin për Skemat Pensionale deri me 15 korrik 2023, por se Kuvendi këtë e bëri vetëm me 27 korrik 2023. Kësaj situate i ka kontribuuar Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila nuk e ka përcjellë këtë projektligj në Kuvend deri më 6 korrik 2023.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Po ashtu, siç është cekur, Kuvendit të Kosovës, i janë kontestuar edhe tri ligje të miratuara gjatë këtij sesioni.