Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda, është mbajtur, seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarit Sh.B., i ngarkuar me veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, “Mbajtje e paautorizuar e armëve” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Në seancën e mbajtur më 02.03.2026, ai nuk e pranoi fajësinë, kështu e ka bërë të ditur, zëdhënësja e gjykatës, Hateme Haxhaj, raporton KosovaPress.
Ajo ka thënë se, masa e paraburgimit ndaj të pandehurit është caktuar në procedurë paraprake dhe vlen deri më 19 mars.
Prokuroria Themelore – Departamenti i Krimeve të Rënda kishte ngritur aktakuzë më 16 shkurt 2026 për veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë”, “Mbajtja e paautorizuar e armëve” dhe “Asgjësimi ose dëmtimi i pasurisë”.Policia kishte konfiskuar dhjetë fishekë dhe ka raportuar se predhat kanë dëmtuar një automjet në pronësi të I.B. dhe një dritare të banesës së pronarit L.Sh.
Ngjarja ishte raportuar më 27 nëntor 2025, kur një person dyshohet të ketë shtënë dy herë me armë zjarri ndaj një familjeje në Vushtrri, duke plagosur një vajzë të mitur.