Presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë, Gabriele Gravina këmbëngul se Italia zgjodhi "trajnerin më të mirë në treg" me Luciano Spallettin dhe realizimi i vizionit të tij do të kërkojë "kohë dhe durim".
Azzurrët e nisën EURO 2024 në këmbën e djathtë me një fitore 2:1 ndaj Shqipërisë, më pas u mundën 1:0 nga Spanja, kështu që një pikë kundër Kroacisë të hënën do të mjaftonte për t'i kaluar në raundin e 16-të nga vendi i dytë, raporton KosovaPress.
“Atmosfera është e relaksuar. Nuk duhet të harrojmë se këto janë kampionate evropiane, ka shumë lojëra dhe variabla, me rezultate të lidhura edhe me forcën e kundërshtarëve relativë. Humbja ndaj Spanjës ishte e merituar dhe i pashë lojtarët të zhgënjyer, por jo të shqetësuar. Ne duhet të vazhdojmë me synimin për ta realizuar këtë projekt”, tha Gravina.
Roberto Mancini ishte në krye kur Italia fitoi trofeun e EURO 2020, por papritmas dha dorëheqjen në fund të gushtit 2023 dhe ish-trajneri i Napolit, Spalletti u emërua më 1 shtator.
Edhe nëse Italia humbet ndaj Kroacisë të hënën, ajo ka ende një shans të mirë për të kaluar si një nga ekipet e treta më të mira në fazën e grupeve.
Që kur mori drejtimin e Italisë, Spalletti ka mbikëqyrur shtatë fitore, tre barazime dhe dy humbje, duke shënuar 20 gola dhe duke pranuar 10.