Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur një ditë më parë në Gjirokastër, ku 15-vjeçari A. P humbi jetën teksa po lahej në një pishinë private pranë fshatit Mashkullor.
Sipas informacioneve të siguruara nga gazetari Vangjel Shumeli, është arrestuar pronari, njëherësh administratori i kompleksit të pushimit ku ndodhi tragjedia. Bëhet fjalë për shtetasin E.K., i cili, sipas hetimeve paraprake, mbulonte edhe funksionin e përgjegjësit për sigurinë në ambientet e pishinës.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë paradites së të mërkurës (10 qershor) në një kompleks pushimi përgjatë aksit nacional Gjirokastër-Tepelenë. Sipas të dhënave paraprake, adoleshenti kishte shkuar në pishinë së bashku me dy shokë të tij. Edhe pse njihej si notar i mirë, ai dyshohet se është ndier keq menjëherë pas kontaktit me ujin dhe ka mbetur në fund të pishinës. Pavarësisht ndërhyrjes dhe dhënies së ndihmës së parë, 15-vjeçari nuk mundi të mbijetojë.
Hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se shkaku i vdekjes mund të ketë qenë një infarkt ose arrest kardiak, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar. Për përcaktimin e shkaqeve të sakta pritet raporti i ekspertizës mjekoligjore.dërkohë, hetimet janë shtrirë edhe ndaj subjektit që administron pishinën, për të verifikuar nëse janë respektuar kushtet ligjore të funksionimit dhe standardet e sigurisë, përfshirë praninë e personelit të specializuar për shpëtimin në raste emergjente, shkruan rtsh.al.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike që tronditi komunitetin e Gjirokastrës.