Putten, Holandë – Fondacioni Holandez-Kosovar Care for Kosovo Kids po organizon sonte një mbrëmje bamirësie në Putten, Holandë për mbështetjen e fëmijëve me kancer në Kosovë, raporton KosovaPress.
Kjo mbrëmje mbledh donatorë dhe partnerë nga Holanda, përfaqësues të komunitetit kosovar dhe ndërkombëtar për të kontribuar me donacione në përmirësimin e trajtimit në repartin e hemato-onkologjisë pediatrike në QKUK. Të gjitha të ardhurat e mbledhura nga ankandi i bamirësisë dhe aktiviteteve tjera nga kjo mbrëmje do të dedikohen për furnizim me barna, avancim të diagnostikës dhe zhvillim profesional të stafit mjekësor në Kosovë.
Care for Kosovo Kids (CfKK) që nga viti 2013 siguron që fëmijët në repartin e hemato-onkologjisë pediatrike në UCCK të marrin trajtimin e duhur. Fondacioni mbetet i përkushtuar që të vazhdojë mbështetjen për sistemin shëndetësor në Kosovë dhe për të siguruar trajtim dinjitoz për çdo fëmijë të prekur nga kanceri.