Hoxhaj: Vetëm PDK rikthen besimin e aleatëve, Kosova ka nevojë për marrëveshje strategjike të sigurisë me SHBA-në
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Enver Hoxhaj
1 ditë më parë
Linku u kopjua

Në një intervistë të fundit, Enver Hoxhaj ka theksuar se Partia Demokratike e Kosovës është partia e vetme që garanton partneritet të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Ai ka vënë theksin te nevoja për një marrëveshje strategjike të sigurisë me SHBA-në dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO si prioritet për vitin 2025.

"Unë mendoj që Kosova ka nevojë që ta nënshkruajë një marrëveshje strategjike të sigurisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova ka nevojë që ta ketë mbështetjen amerikane për t’u anëtarësuar në NATO dhe nuk ka ndonjë qëllim më madhor për Kosovën në vitin 2025 se sa kërkesa jonë që të bëhemi shtet anëtar i NATO-s", ka thënë Hoxhaj.

“Politika fillon dhe mbaron me ekip. Ekipi që do të mbështesë Hamza do të sigurojë rikthimin e besimit të SHBA-së dhe BE-së mbi Kosovën,” tha Hoxhaj, duke shtuar se asnjë parti tjetër nuk ka kapacitetin për të ndërtuar një partneritet të ri dhe të qëndrueshëm me aleatët perëndimorë.

Hoxhaj në Infokus, po ashtu foli për nevojën e përshpejtimit të integrimit evropian të Kosovës, duke u fokusuar në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe sigurimin e njohjeve të reja.

"Krahas kësaj, ne duhet të shohim se si ta marrim statusin e kandidatit të Bashkimit Evropian ta rikthejmë politikën tonë me marr njohje të reja nga vendet e ndryshme anëtarësime të reja në organizata të ndryshme ndërkombëtare një politikë të mençur në Ballkan në rajon", u shpreh ai.

Në fushën e ekonomisë, ai theksoi problemet kryesore të vendit: papunësinë, pagat e ulëta dhe sektorin privat të nënzhvilluar, duke e konsideruar Bedri Hamzën si kandidatin më të duhur për të zgjidhur këto sfida.

“Problemi kryesor i Kosovës sot është ekonomia. Gjatë dy vjetëve të fundit, 200 mijë njerëz janë larguar nga vendi dhe kjo është një goditje e madhe për ekonominë,” tha Hoxhaj.

Ai përfundoi intervistën duke nënvizuar se ndryshimi më 9 shkurt është i pashmangshëm dhe do të sjellë një vizion të ri për vendin.

Partia Demokratike e Kosovës në planin e saj të qeverisjes, me të cilin garon në këto zgjedhje, te fusha e politikës së jashtme, ajo ka renditur si pikë të rëndësishme edhe thellimin e marrëdhënieve strategjike bilaterale me SHBA-në,  në nivel politik, ekonomik, kulturor, social, përveçse në atë të sigurisë.

Programi i PDK-së parasheh zgjerimin e marrëdhënieve me SHBA-në përtej fushës së sigurisë, duke forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor, duke përfshirë projekte të përbashkëta në teknologji, arsim dhe zhvillim kulturor, duke bërë që lidhjet Kosovë-SHBA të bëhen më të fuqishme dhe të qëndrueshme.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025