Hoxhaj takohet me deputetë gjermanë, flasin për anëtarësimin e Kosovës në KiE e NATO
Lexohet për: 2 min.
Enver Hoxhaj
2 vite më parë
Linku u kopjua

Nënkryetari i Kuvendit Enver Hoxhaj gjatë një vizite në Berlin, ku mori pjesë në Forumin për Politikë të Jashtme, ka takuar edhe disa deputetë të Bundestagut gjerman me të cilët ka biseduar për proceset e rëndësishme që e presin Kosovën. 

"Në Berlin, duke takuar miq! Kënaqësi e veçantë ishte të takoja mikun tim, Johann Wadephul dhe Shefin e Grupit Parlamentar të CDU-së! E falënderova për mbështetjen që Gjermania ka ndaj Kosovës.", ka shkruar Hoxhaj. 

Ai tha se me Wadephul biseduan për tema të rëndësisë gjeopolitike dhe u pajtuan që interes i Evropës është anëtarësimi i shtetit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s. 

Hoxhaj gjithashtu ka njoftuar se ka zhvilluar takim edhe me deputetin tjetër gjerman Josip Juratovic, me të cilin tha se kanë biseduar për shqetësime dhe interesa të përbashkëta politike sa i përket zhvillimit të Ballkanit Perëndimor. 

"Ishte kënaqësi ta takoja në Bundestag, deputetin e këtij parlamenti, Josip Juratovic, me të cilin ndajmë shqetësime dhe interesa të përbashkëta politike sa i përket zhvillimit të Ballkanit Perëndimor rreth situatës politike", ka shkruar Hoxhaj. 

Po sot, nënkryetari i Kuvendit, i cili i takon partisë opozitare, PDK-së, ka njoftuar se ka zhvilluar takim me ish-këshilltarin e kancelares Angela Merkel, Christoph Heusgen. 

"E pazëvendësueshme ka qenë mbështetja për Kosovën e Christoph Heusgen, një buldozer i diplomacisë gjermane, ish-këshilltar i kancelares Merkel dhe sot drejtues i Konferencës së Sigurisë në Munih ", ka thënë Hoxhaj. 

Ish-kryediplomati kosovar gjatë ditëve të kaluara ka takuar edhe deputetin gjerman Peter Beyer, i cili ka qenë njëherësh edhe raportues për Kosovën në Këshill të Evropës, si dhe ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock. 

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025