Hoxhaj: Sa isha ministër i Arsimit nuk ka ndodhur që nxënësit të mbesin pa libra
Lajme
Lexohet për: 2 min.
4 javë më parë
Linku u kopjua

"Nuk besoj se ka qenë e mundur të ndodhë që nxënësit mos të pajisen me libra deri në fund të shtatorit", kështu ka thënë ish-ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj në raportimin para Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve dhe mjeteve mësimore.

Hoxhaj potencoi se ideja për shpërndarjen e librave shkollore falas erdhi pasi ishte argumentuar së ndër arsyet që nxënësit i braktisnin shkollat, ishin shkaqet financiare. 

Hoxhaj në kuadër të intervistimit mohoi se në kohën kur ai kishte qenë ministër i Arsimit ka pasur probleme me stoqet e grumbulluara të teksteve shkollore nëpër shkolla.

Ai tha se gjatë kësaj periudhe ka qenë një lloj tradite që dy shtëpi botuese kanë ofruar tekste shkollore në përputhje me planprogramet.

Ndërkaq, kryetari i këtij komisioni nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj pyeti Hoxhajn nëse ka pasur nxënës që kanë mbetur pa u furnizuar me libra deri në fund të shtatorit në atë kohë.  

Lidhur me këtë, Hoxhaj tha se nuk ka mundur të ndodhë, derisa apeloi që shkollat në Kosovë të pajisen me libra elektronik, tabletë dhe mjete të tjera të digjitalizuara.

Ndër të tjera, anëtarja e Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Mirlinda Tishukaj drejtoi pyetje ndaj ish-ministrit Hoxhaj, për të ditur se sa ka qenë planifikimi dhe shpenzimi i buxhetit për blerjen e librave.  

Hoxhaj u shpreh se nuk ka informacione të sakta lidhur me këto të dhëna, porse potencoi se mund të jenë ndarë rreth dy milionë euro.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024