Në një vlerësim për procesin e tanishëm të integrimit evropian të Shqipërisë ish-ambasadori i vendit tonë në misionin e Shqipërisë pranë BE në Bruksel, Ferit Hoxha, tashmë ministër i Punëve të Jashtme, thotë se vendi ynë ndodhet në një fazë të avancuar të mbylljes së kapitujve, por janë vendet anëtare ato që do ta thonë fjalën e fundit.
“Reformat janë fjalëkalimi ynë për të hyrë në familjen evropiane”, tha Hoxha gjatë një interviste për Top Channel, teksa hodhi poshtë pretendimet për një bllokim të mbylljes të kapitujve të hapura nga Shqipëri me Komisionin Europian.
“Shqipëria sot ndodhet në fazën më të avancuar të këtij procesi ndonjëherë, dhe konsiderohet gjerësisht, dhe ky nuk është vlerësimi ynë, si një vend pararojë, me progres të qartë dhe të njohur nga partnerët tanë evropianë.
Gjithashtu Hoxha tha se “në harkun kohor të një viti, Shqipëria ka ndërmarrë një përpjekje të jashtëzakonshme, po ashtu e paprecedent, për të adresuar 92 hendeqe të identifikuara në kuadër të kapitujve 23 dhe 24, të grupkapitullit “Themeloret”, që përbëjnë thelbin e raportit IBAR. Kjo nuk është thjesht një shifër teknike, por dëshmi konkrete e një pune të thellë reformuese, që prek drejtësinë, administratën publike, luftën kundër paligjshmërisë, shtetin e së drejtës në tërësi, si dhe të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Përmbushja e këtyre kërkesave tregon qartë se Shqipëria nuk është më në fazën e angazhimeve deklarative, por në fazën e rezultateve të matshme”.
“Nga ana tjetër, vetë fakti që raporti është në tryezën e Këshillit tregon se ai konsiderohet i qëndrueshëm dhe i besueshëm. Shqyrtimi i detajuar nga shtetet anëtare është një praktikë standarde dhe pjesë e një procesi rigoroz që synon të garantojë cilësinë e zgjerimit. Pra, ajo që po ndodh është një proces normal, i pritshëm dhe në përputhje me stadin e avancuar ku ndodhet Shqipëria sot”, u shpreh ministri.
“E kam thënë dhe e përsëris: takimet zhvillohen në Bruksel, por reformat bëhen në Shqipëri; vlerësimet bëhen atje, por rezultatet dhe përfitimet janë këtu, për qytetarët shqiptarë, për të gjithë ne. Integrimi evropian është një investim afatgjatë në demokraci funksionale, ekonomi konkurruese dhe institucione të qëndrueshme. Ky është thelbi i anëtarësimit”, tha Hoxha.
“As unë dhe as askush tjetër në Shqipëri nuk mund të japë një datë të saktë, sepse kjo është një vendimmarrje që u takon shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Ajo bazohet në vlerësimet, analizat dhe proceset e tyre të brendshme. Ne ende nuk jemi në tryezën ku merren këto vendime, pikërisht aty ku po punojmë të jemi.
“Ne jemi angazhuar në një proces që është i bazuar në meritë dhe rruga drejt asaj tryeze kalon përmes reformave të thella dhe rezultateve konkrete. Reformat janë fjalëkalimi ynë për të hyrë në familjen evropiane. Megjithatë, ajo që mund të them me bindje është se Shqipëria është në drejtimin e duhur”, tha Hoxha.