Hovenier: Kosova mund të përparojë vetëm me SHBA-të
Lexohet për: 3 min.
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë Jeff Hovenier thotë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe aleatit kryesor të saj po përballen me mosmarrëveshje rreth vendimeve politike të qeverisë aktuale të Kosovës dhe shpërfillje të këshillave të qeverisë amerikane në raport me komunitetin serb në Kosovë.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, ambasadori Hovenier thotë se dallimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti nuk kanë të bëjë me anën ligjore të veprimeve, por me frymën dhe e tyre dhe pasojat konkrete te komuniteti serb.

Ai thotë se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të mos veprojë në mënyrë të njëanshme, por të bashkëpunojë me Uashingtonin dhe aleatët e tjerë perëndimorë.

“Kemi pritur nga Qeveria e Kosovës që të punojë ngushtë me ne për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve të qytetarëve serbë (që jetojnë në Kosovë) sepse ata kanë të drejtë të gëzojnë kushte jetese, dinjitet e siguri si të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës dhe si ta bëjmë këtë në një formë që respekton ata dhe që avancon vizionin e përbashkët për një shtet sovran, shumë-etnik dhe demokratik. Ky është synimi drejt të cilit po përpiqemi të punojmë bashkë dhe për këtë po kërkojmë bashkëpunim më të madh nga qeveria”, ka thënë ai.

Duke folur mbi shpronësimin e tokave në veri, ambasadori Hovenier tha se dallimet nuk kanë të bëjë me anën ligjore të veprimeve, por me mënyrën se si po zbatohet ligji.

“Te çështja e shpronësimit, askush nuk e konteston se qeveria e ka autoritetin të kryejë shpronësim toke. Por në të gjitha shoqëritë demokratike, shpronësimi i tokës – marrja e tokës për shkak të nevojave të qeverisë për atë tokë, me gjithë kundërshtimin e pronarëve, është diçka që bëhet si zgjidhje të fundit, diçka që bëhet në rrethana të skajshme. Kur një gjë e tillë ndodh në pjesën veriore të Kosovës, ku tensionet janë tashmë të ngritura dhe ku qytetarët kanë dyshime nëse qeveria me të vërtetë po vepron në interesin e tyre, duhen pasur parasysh në veçanti ndjeshmëritë e komunitetit. Duhen përpjekjet maksimale për komunikim dhe një angazhim i plotë me komunitetin në një formë që nuk lë asnjë hapësirë për keqkuptim, me vëmendje për çdo detaj. Në Shtetet e Bashkuara sistemi gjyqësor përballet me çështje të shumta nga njerëzit që kontestojnë veprimet e qeverisë për të shpronësuar tokat. Është çështje e ndjeshme, njerëzit i duan pronat e tyre. Në rastin në fjalë, siç e thotë edhe deklarata jonë e përbashkët, jo vetëm e Shteteve të Bashkuara, por e të gjitha shteteve të Kuintit, Bashkimit Evropian si institucion dhe misionit të OSBE-së në Kosovë, asnjëri prej nesh nuk e konteston ligjshmërinë e veprimit të qeverisë për të shpronësuar tokë, por kemi rezerva për formën se si po bëhet ky veprim. Kemi pasur disa diskutime me Qeverinë e Kosovës për interpretimin e ligjit dhe për faktin se nuk mendojmë se janë përmbushur të gjitha kriteret ligjore”, ka thënë ambasadori amerikan.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024