Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka kërkuar ndryshimin e mënyrës së zbatimit të Rregullores së BQK-së, ku ndalohet përdorimi i dinarit serb. Ai pas takimit me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, tha se ka parë shenja pozitive nga takimi që kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë pasur të martën në Bruksel.
Hovenier para mediave iu përgjigj edhe kërcënimeve të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq ndaj Kosovës, ku nënvizoi se Kosova ka garanci të mëdha të sigurisë, pasi aleanca më e fuqishme dhe suksesshme ushtarake (NATO) është në Kosovë dhe se është e gatshme të përgjigjet nëse është nevoja.
Sipas tij, populli i Kosovës nuk duhet të shqetësohet për kërcënimet e ndryshme ndaj integritetit territorial apo sigurisë, pasi NATO me prezencën e saj ushtarake në Kosovë është e përgatitur dhe gatshme për çfarëdo situate.
Sa i përket deklaratave të ambasadorit të SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, që tha se “Serbia është më afër NATO-s se Kosova”, ambasadori amerikan Hovenier tha se dëshiron të kundërshtojë të gjithë ata që bëjnë krahasime.
I pyetur për deklaratat e emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili javën e kaluar tha se Kosova ka edhe dy kushte (Asociacioni dhe ndalja e shpronësimeve në veri) për anëtarësim në Këshill të Evropës, ai tha se të njëjtat nuk janë qëndrim i ShBA-së, pasi Escobar po fliste për qëndrimet e disa vendeve evropiane.
Pas takimit një ditë më parë në Bruksel, Kosova dhe Serbia do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit serb në Kosovë, deri më 22 mars, ndërsa javën e ardhshme do të takohen sërish në Bruksel për diskutimin e opsioneve./E.Zeqiri/