Ish-kryeministri i vendit Avdullah Hoti ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për vendimet që lidhen me prokurimin si dhe emërimin e një anëtareje në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka shkruar në Facebook se ‘Qeveria nuk pyet për ligj apo praktika të mira të vendimmarrjes’.
Më tej ai ka shkruar se kjo praktikë u hodh poshtë pa asnjë hezitim nga qeveria që " promovon transparencën dhe drejtësinë".
“E vërteta është se: (i) tenderët njëburimorë, (ii) pagesa e avanceve për shpenzime kapitale dhe (iii) mbyllja për publikun e procedurave të prokurimit janë tri problemet kryesore në prokurim gjatë mandatit të kësaj qeverie. Këto probleme potencialisht mund të kushtojnë miliona euro për buxhetin e Kosovës. Unë pres që Zyra Kombëtare e Auditimit t'i auditojë në detaje të gjitha këto raste dhe t'i prezantojë të gjeturat në raportet audituese për 2023, të cilat duhet të publikohen së shpejti”, shkruan Hoti.