Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka shprehur shqetësim për, siç ka thënë ai, ngecjen e marrëdhënieve strategjike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e krahasuar situatën me zhvillimet në Serbi.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se dialogu strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së vazhdon të jetë i pezulluar, ndonëse Kosova, sipas tij, është vendi më proamerikan në rajon dhe më gjerë.
“Kosova, si vendi më proamerikan në rajon dhe më gjerë, e ka të pezulluar dialogun strategjik me SHBA-në. Ndërsa, fqinji verior i Kosovës e nis këtë të premte raundin e parë të këtij dialogu me SHBA-në”, shkruan Hoti.
Hoti kritikoi gjithashtu vendimin e Kosovës për të mos u përfshirë në rrjetin rajonal të gazit, përmes të cilit synohet shpërndarja e gazit amerikan me qëllim të uljes së varësisë së vendeve të rajonit nga gazi rus.Deputeti i zgjedhur i LDK-së paralajmëroi se vazhdimi i kësaj qasjeje mund ta lërë Kosovën të izoluar ekonomikisht dhe politikisht, duke humbur mundësi për forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në dhe për rritjen e sigurisë energjetike.