Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Federata e Basketbollit e Kosovës organizoi aktivitetin e radhës të kampanjës “Her World, Her Rules”, një iniciativë që synon të promovojë dhe fuqizojë vajzat dhe gratë në basketboll.
Eventi u mbajt në sallën e sporteve të shkollës “Jeta e Re” në Greme, Ferizaj, ku morën pjesë rreth 90 vajza. Aktiviteti shërbeu si një platformë motivuese për të angazhuar vajzat në sport, për të zhvilluar aftësitë e tyre në basketboll dhe për të nxitur interesin e tyre për pjesëmarrje aktive.
Federata e Basketbollit e Kosovës është pjesë e projektit FIBA Europe Girls’ Program për tetë vite dhe ka zbatuar me sukses këtë iniciativë në Kosovë, transmeton KosovaPress. “Her World, Her Rules” është një fushatë e udhëhequr nga FIBA Europe që promovon basketbollin e vajzave në Evropë përmes aktiviteteve të ndryshme në partneritet me federatat kombëtare.
Ky event i fundit në Ferizaj tregon angazhimin e vazhdueshëm të Federatës për të fuqizuar vajzat në sport dhe për të krijuar mundësi reale për zhvillim dhe arritje në basketboll.