Sporti i hedhjes me parashutë në aerodromin fushor të Gjirokastrës po tërheq gjithnjë e më shumë të pasionuar.
Kryetari bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi publikoi sot në rrjetet sociale një video nga hedhjet me parashutë të të pasionuarve pas këtij sporti.
Rikthimi në funksion i aerodromit mbi 80-vjeçar të Gjirokastrës ka diversifikuar ofertën turistike në qytetin e gurtë, i cili vizitohet nga turistë vendas dhe të huaj.
Aerodromi i Gjirokastrës ka një histori gati njëshekullore. Fluturimet e rregullta në të kanë nisur zyrtarisht në vitin 1929 me linjën ajrore Tiranë-Gjirokastër-Tiranë. Fluturimet në Gjirokastër ishin ato për transportin e pasagjerëve, postës, fluturime për qëllime ushtarake, tregtare, diplomatike, madje edhe në rastet e emergjencave civile.
Nga janari deri tani mbi 200 mijë turistë vendas dhe të huaj kanë vizituar Gjirokastrën dhe rrethinat, duke regjistruar ndër shifrat më të larta në vite.