Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Gjilan, Lutfi Haziri, ka reaguar pas vizitës së fundit të Albin Kurtit në këtë komunë, duke thënë se kreu i Qeverisë së vendit ka lënë interesin e qytetarëve në rend të dytë, duke e nxjerr interesin e partisë së tij në rend të parë.
Haziri në një konferencë sot për media tha se kryeministri Kurti nuk ka sqaruar lidhur me ecurinë e hetimeve për Agon Musliun, i cili vdiq më 2020 në qendrën e studentëve në Prishtinë, e cila asokohe ishte shndërruar në karantinë për personat e ardhur nga jashtë për shkak të pandemisë COVID.
“Duke injoruar familjen e Agonit dhe të të rinjve të Gjilanit, ne dje e pamë shëtitjen politike, në kohën kur kanë stagnuar hiç më pak se 24 projekte sistemore”, tha Haziri.
Për më tepër, Haziri ka akuzuar Kurtin se në kundërshtim me ligjin dhe planin detal urban, ka përuruar parkun “Banja”, i cili sipas tij, u degradua si projekt, duke i përjashtuar personat me aftësi të kufizuar.
“Kryeministri erdhi në Gjilan me një pako të re financiare, duke e lidhur qarkoren e re pa i kompensuar qytetarët për qarkoren e vjetër, duke mos treguar se çka do të ndodhë për pjesën e dytë të autostradës prej Bresalcit në Konçul. Stanishorka, nga 1.2 milion euro, është nënshkruar në 2.5 milionë euro. Është rritur qind për qind kosto, e nuk janë paraparë ndërtimi i kolektorëve që çojnë në impiant.
Projektin e impiantit, nga 18 muaj sa do të duhej të përfundojë, këtë projekt e kanë shtyrë për hiç më pak se në vitin 2028”, ka thënë Haziri.
“Pagesa prej 38 mijë euro si transaksion ndërkombëtar është skandal që duhet të zbardhet”, ka thënë Haziri.
Kurti viziton Komunën e Gjilanit, pritet nga kryetari Hyseni - KosovaPress