Haxhiu viziton Kombëtaren e Kosovës së vajzave para ndeshjes me Bullgarinë
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Haxhiu viziton Kombëtaren e Kosovës së vajzave para ndeshjes me Bullgarinë
haxhiu
18/04/2026 - 16:59
Linku u kopjua

U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar kampin e Kombëtares së Kosovës në futboll të vajzave në prag të ndeshjes miqësore kundër Bullgarisë.

Gjatë vizitës, ajo u prit nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme ndaj zhvillimit të futbollit të vajzave në vend. Ademi vlerësoi paraqitjet e deritanishme të ekipit, duke theksuar se “Dardanet” kanë treguar performanca të qëndrueshme dhe kanë bërë krenarë vendin.

“Vajzat tona me përkushtimin dhe rezultatet e tyre na kanë bërë krenarë të gjithëve. Uroj që me këtë formë të vazhdojnë edhe në ndeshjet e ardhshme” – u shpreh Ademi.

Nga ana e saj, Haxhiu përgëzoi futbollistet dhe stafin teknik për angazhimin dhe punën e tyre, duke theksuar se sukseset e tyre kanë rëndësi të madhe për imazhin e shtetit.

 “Ju, së bashku me trajnerin tuaj, jeni duke e lartësuar emrin e shtetit tonë. Jeni frymëzim për shumë vajza në Kosovë dhe përtej, pasi sukseset tuaja tashmë janë vërejtur edhe ndërkombëtarisht. Ju dëshiroj shumë fat dhe sukses në ndeshjen e sotme. Do të vazhdoj t’ju mbështes në vazhdimësi, sepse suksesi juaj është edhe sukses i shtetit” – theksoi ajo.

Në emër të ekipit, kapitenia Erëleta Memeti falënderoi presidenten për vizitën, duke e cilësuar atë si motivim shtesë para ndeshjes. Ajo theksoi se ekipi përfaqëson vendin me përgjegjësi dhe synon të japë maksimumin në çdo paraqitje ndërkombëtare.

“E vlerësojmë shumë këtë vizitë. Për ne është motivim shtesë, pasi ne nuk e veshim këtë fanellë vetëm për veten, por për gjithë vendin dhe për të gjithë ata që na mbështesin në Kosovë dhe diasporë. Është nder për ne ta përfaqësojmë Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe do të vazhdojmë të japim më të mirën tonë” – u shpreh Memeti.

Ndeshja do të zhvillohet sot më 18 prill, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, me fillim nga ora 18:00.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026