Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sonte në Gala Mbrëmjen e organizuar me rastin e njohjes së Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Këshilli për Akreditimin e Arsimit të Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
U.D. Presidentja Haxhiu, në fjalën e saj para të pranishmëve ka thënë se është kënaqësi të jem me ju sonte, të shënojmë bashkërisht një arritje të rëndësishme për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës.
“Njohja e Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Këshilli për Akreditimin e Arsimit të Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është arritje e madhe për institucionet tona, për universitetet tona, për profesorët, për studentët dhe për secilën familje, që e sheh arsimin si udhën më të ndershme drejt përparimit”, citohet Haxhiu nw komunikatw.
Sipas saj, arsimi i lartë është një prej mënyrave më fisnike, me të cilat një vend e përgatit të ardhmen e tij, duke shtuar tutje se në universitet shoqëria mëson të mendojë më kthjellët, të gjykojë më drejt dhe ta kthejë dijen në zhvillim.U.D. Presidentja Haxhiu tha se kjo është arsyeja pse kjo njohje ka rëndësi të veçantë.
“Ajo është dëshmi se Agjencia e Kosovës për Akreditim ka hyrë në një rreth më të gjerë besueshmërie, ku cilësia nuk shpallet vetë, por vlerësohet nga të tjerët. Besimi i partnerëve ndërkombëtarë tregon se Kosova po ndërton standarde të krahasueshme me botën demokratike dhe akademike dhe kur flasim për standardet duket sikur po flasim për rregullat teknike, por ato janë gjuha me të cilën një shtet i thotë qytetarit: Mundi yt do të njihet dhe dija jote do të vlejë”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.
Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu tha se le të jetë kjo arritje një hap tjetër drejt një Kosove, ku dija nderohet, merita mbrohet dhe arsimi i lartë bëhet një nga shtyllat më të sigurta të zhvillimit tonë kombëtar!