Albulena Haxhiu u bë ushtruese e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, të shtunën, pasi këtë pozitë, e “trashëgoi” nga ish presidentja, Vjosa Osmani, në një ceremoni shtetërore.
Kryetarja e Kuvendit e merr me automatizëm kushtetues këtë post, meqë politika nuk arriti ta gjejë një kryetar të ri, të zgjedhur nga parlamenti, që do ta trashëgonte menjëherë ish shefen e shtetit.
Haxhiu bëhet zyrtarja e dytë nga Lëvizja Vetëvendosje që mban këtë funksion të lartë shtetëror, përkohësisht, raporton KosovaPress.
Për periudha të shkurta, ushtrues detyre i presidentit të Kosovës ishte edhe Glauk Konjufca. Në dy raste ai mbajti këtë pozitë, duke qenë kryetar i Kuvendit, si pasojë e rrethanave institucionale dhe delegimit të kompetencaveKëtë funksion ai e pati sërish, për pak kohë, edhe në nëntor të vitit 2022, kur iu deleguan kompetencat për shkak të një ndërhyrjeje shëndetësore që bëri presidentja në detyrë.
“Pas rekomandimit nga mjekët specialistë, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses. Bazuar në vlerësimin dhe vullnetin e saj, gjatë ditës së djeshme, Presidentja Osmani ka bërë bartjen e përkohshme të përgjegjësive të Presidentes së Republikës tek Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca” thuhet në një njoftim që kishte bërë presidenca, më 22 nëntor 2022. “Nga 3 nëntori, Presidentja do të vazhdoj me ushtrimin e detyrave dhe obligimeve kushtetuese që ndërlidhen me pozitën e Presidentes së Republikës, si dhe gradualisht do t’i kthehet angazhimeve publike”.
Vjosa Osmani ishte bërë presidente më 2021, si pjesë e koalicionit me Vetëvendosjen, por duke qenë në listën Guxo. Deri në themelimin e kësaj nisme, ajo ishte pjesë e LDK-së
E vetmja presidenti jopartiake e Kosovës ishte Atifete Jahjaga, ani se u zgjodh me mbështetje të PDK dhe LDK, pas rrëzimit të Behgjet Pacollit. Ajo u bë edhe e para liderë e shtetit që mbajti të plotë një mandat 5 vjeçar si kryetare e Republikës. /KosovaPress/