Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se kanë refuzuar kërkesën e Serbisë për bashkëpunim në rastin e Millan Radojiçiqit. Ajo tha se kjo kërkesë bie ndesh me Ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, për çka tha se Serbia duhet t’i dorëzojë prova institucioneve të Kosovës për sulmin terrorist në veri të vendit.
Haxhiu theksoi se kanë dorëzuar dy herë kërkesa për ofrimin e provave që ndërlidhen me Millan Radojiçiqin. Ajo foli edhe për përleshjen me armë në Prishtinë, për çka deklaroi se është e papranueshme që grupet kriminale të tolerohen para sistemit të drejtësisë.
Sa i përket rastit të përleshjes me armë në Prishtinë para disa ditëve, ku mbeti i vrarë një person, Haxhiu tha se është e papranueshme që këto raste të tolerohen nga institucionet e drejtësisë.
Në konferencë për media, Haxhiu u pyet edhe për raportimet se kosovari Liridon Rexhepi është arrestuar nga policia turke, me pretendimet se ishte kreu i rrjetit financiar të agjencisë izraelite të intelegjencës, Mossad në Turqi. Ajo tha se institucionet e Turqisë kanë dërguar pyetje me shkrim për këtë rast.