Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka bërë thirrje Prokurorisë që ta intervistojë deputeten e AAK-së, Time Kadrijaj pas deklarimeve të saj sot që partia në pushtet e ka djegur Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Ministrja Haxhiu gjatë fjalës së saj në seancën e sotme, i është kundërpërgjigjur edhe deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri.
“ I bëjë thirrje Prokurorisë që menjëherë dhe pa vonesa ta thërras si dëshmitare deputeten, Time Kadrijaj për të treguar se kush e paska djegur Institutin e Mjekësisë Ligjore sepse ekspertët e zjarrit po thonë se ka qenë defekt elektrik në pajisje, ndërsa, deputetja e Kuvendit të Kosovës po thotë e keni djegur ju Institutin. Prandaj, besoj se është tepër e rëndësishme për drejtësinë që deputetja të ftohet në këtë intervistë“, theksoi ajo.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu iu drejtua deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri duke i thënë se si ish-ministër i Drejtësisë do të mbahet mend për banerin “Drejtësia 2020”, dhe procese të komprometuara.
Deputeti i PDK-së, Ableard Tahiri tha se si ish-ministër i Drejtësisë do të mbahet mend që rastin e Deharit e ka dërguar për hetim në institutin zviceran.
Ai po ashtu tha se ministria Haxhiu do të mbahet mend për katër shkelje kushtetuese.