Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit e Kosovës (APK) ka lansuar programin e mentorimit për verifikimin e pasurisë të zyrtarëve publikë me ekspertë nga Këshilli i Evropës.
Programi i mentorimit fokusohet në procesin e verifikimit dhe auditimit të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publikë që kryhet nga APK, në përputhje me Ligjin për deklarimin, origjinën dhe kontrollin e pasurisë dhe dhuratave si dhe Ligjin për APK-në.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se një shoqëri nuk mund të ketë rrugën e ndritur nëse ata që drejtojnë institucionet apo që janë në nivele të tjera veprojnë kundërligjshëm dhe nga puna e tyre e kundërligjshme krijojnë pasuri marramendëse.
“Në Kosovë kemi pasur shumë të tillë. Por këta të fundit duhet ta dinë që kjo pasuri e paligjshme apo e pajustifikueshme asnjëherë e tyre nuk do të bëhet, sepse drejtësia herë-do-kur me ta do të merret dhe pasuria e pajustifikueshme do t’i kthehet shtetit me qëllim të përdorimit për shtresat që kanë më së shumti nevojë. Si qeveri, përgjatë gjithë kësaj kohe, jemi angazhuar që të fuqizojmë legjislacionin kundër korrupsionit dhe të adresojmë secilën shkelje që kemi gjetur,” tha Haxhiu.
"Deklarimi dhe verifikimi i pasurisë është një mjet kyç në përpjekjet për parandalim të korrupsionit. Ky program do të ndihmojë stafin tonë të zhvillojë aftësitë dhe njohuritë që u nevojiten për të hetuar në mënyrë më efektive rastet e shkeljeve eventual dhe rrjedhimisht t'i shërbejmë më mirë popullit të Kosovës," tha ai.
Ndryshe, eksperti i Këshillit të Evropës do t'i ofrojë stafit të APK-së mentorim, trajnim kolektiv dhe individual, përgjatë procesit të verifikimit të deklarimit të pasurisë për vitin paraprak.
APK beson që programi i mentorimit do ta ndihmojë atë të bëhet një agjenci më efektive dhe efikase në përpjekjet për parandalimin e korrupsionit, si dhe për të promovuar transparencën dhe llogaridhënien në Kosovë.
Programi pritet të ketë një ndikim pozitiv në aftësinë e APK-së për të adresuar edhe rekomandimet e Komisionit të Venedikut për sa i përket verifikimit të deklarimit të pasurisë të zyrtarëve nga radhët e sistemit prokurorial dhe gjyqësor të Kosovës.
APK përballet me mungesë të resurseve njerëzore, kërkohet buxhet shtesë - KosovaPress