Haxhiu: Opinioni i GjND-së për pavarësinë, një nga gurthemelet e shtetësisë së Kosovës
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Haxhiu: Opinioni i GjND-së për pavarësinë, një nga gurthemelet e shtetësisë së Kosovës
GJND
22/07/2026 - 12:48
Linku u kopjua

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se edhe pas 16 vitesh, opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i cili konfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, mbetet një nga gurthemelet e legjitimitetit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës.

Haxhiu tha se ky opinion, i publikuar më 22 korrik të vitit 2010, është një referencë e rëndësishme në afirmimin e subjektivitetit të shtetësisë së vendit.

“Sot shënohen 16 vjet nga publikimi i opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, i cili konfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008, nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Më 22 korrik 2010, Gjykata hodhi poshtë pretendimet se shpallja e pavarësisë kishte shkelur normat e së drejtës ndërkombëtare, duke vlerësuar se miratimi i Deklaratës së Pavarësisë nuk cenonte të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare”.

“Edhe pas 16 vitesh, opinioni i 22 korrikut 2010 mbetet një nga gurthemelet e legjitimitetit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës dhe një referencë e rëndësishme në afirmimin e subjektivitetit të saj në arenën ndërkombëtare”, shkroi Haxhiu, transmeton KosovaPress.

Tutje, Haxhiu u shpreh se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, përbënte një moment me rëndësi të veçantë juridike dhe diplomatike, duke forcuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

“Ky opinion erdhi pas kërkesës së Serbisë drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për një vlerësim këshillëdhënës mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Vendimi i Gjykatës përbënte një moment me rëndësi të veçantë juridike dhe diplomatike, duke forcuar pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe duke shërbyer si bazë e rëndësishme për njohjet që pasuan nga shumë shtete”, tha ajo.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026