Haxhiu në Dyz kërkon drejtësi për masakrën e 200 civilëve
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Haxhiu në Dyz kërkon drejtësi për masakrën e 200 civilëve
Albulena Haxhiu 18
18/04/2026 - 15:24
Linku u kopjua


Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, bëri sot homazhe në Dyz dhe mbajti fjalë rasti në shënim të përvjetorit të masakrës së kryer nga forcat serbe ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.


Sipas njoftimit, Haxhiu tha se 27 vjet më parë, në mes të prillit, banorët e Llapit dhe Gollakut, në përpjekje për të gjetur shpëtim, u përballën me dhunën brutale të forcave okupatore serbe.


“Aty nuk kishte ushtarë. Aty kishte burra, gra, fëmijë, pleq e njerëz të zakonshëm që kërkonin vetëm të jetonin në paqe. Aq kërkonin, të jetonin në paqe e të jetonin me dinjitet. Por, ata u përballën me një dhunë të organizuar, të planifikuar, u përballën me një dhunë çnjerëzore”, citohet Haxhiu në komunikatë.


Ajo kujtoi se mbi 200 civilë shqiptarë të paarmatosur u masakruan në këtë akt gjenocidal të Serbisë dhe se kujtimi për ta mbetet detyrim i përhershëm.


“Sot, jemi këtu për ta përkujtuar këtë ngjarje tragjike. Jemi këtu për të mos harruar kurrë. Kujtimi është detyrë morale, është detyrë njerëzore, kujtimi është detyrë edhe kombëtare”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.


Duke folur për mungesën e drejtësisë, ajo tha se e vërteta për këto krime dihet dhe se përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë.


“Si institucione të Republikës së Kosovës, kemi krijuar bazën ligjore për ndjekjen dhe dënimin e kriminelëve të luftës edhe në mungesë. Prandaj, sot nga ky vend, u bëj thirrje institucioneve të drejtësisë që të angazhohen me gjithë kapacitetet e tyre, që të ngrenë aktakuzat dhe gjykimet ndaj përgjegjësve për këto krime të rënda. Drejtësia nuk duhet të mungojë”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.


Në fund, ajo theksoi se nderimi më i madh për martirët dhe dëshmorët është puna e përditshme për drejtësi, zhvillim, siguri dhe prosperitet për qytetarët e Republikës së Kosovës.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026