Haxhiu fajëson gjyqësorin për ikjen e Sekiraqës
Lexohet për: 3 min.
Albulena Haxhiu - Intervista KP (2 of 14)
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka akuzuar sistemin e gjyqësorit pas arratisjes së Enver Sekiraqës, i dënuar me 25 vjet heqje lirie për vrasjen e policit Triumf Riza, duke thënë se kjo sipas saj ka ardhur për shkak të vendimit që ai të lihet në arrest shtëpiak ose në liri.

Enver Sekiraqa nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën “Vëllezërit Fazliu” Prishtinë, kur Policia e Kosovës kishte shkuar dy herë, dje dhe sot, për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhej të dërgohet në paraburgim.

Dikush që është i njohur edhe për publikun se lëre më për gjyqësinë e prokurorinë për krime të rënda e përsëritje të tyre lihet herë në arrest shtëpiak e pastaj në liri, deri në një aktvendim tjetër, kësisoj arratiset tërësisht. Kjo ndodhi edhe me Enver Sekiraqën, i cili ishte dënuar ditë më parë me burgim prej 25 vitesh për vrasjen e policit të Policisë së Kosovës, ka thënë Haxhiu në reagimin e saj.

Ajo e ka quajtur qasje joprofesionale të gjyqtarëve, të cilët në shumë raste po rezulton me trashje të krimit dhe po manifestohet me vrasje e herë me arratisje të tërësishme.

“Dhe ky nuk është gabim i izoluar, por veprime të shpeshta që po shndërrohen me mendësi të gjykimit e të cilat po përkthehen në stimulim të kriminelëve. Caktimi i masës së arrestit shtëpiak, e mos ndryshimi i asaj mase, është skandal i madh. Madje kjo arratisje në fakt indirekt ishte paralajmëruar në seancën e shpalljes së aktgjykimit për Sekiraqën kur ai nga seanca u njoftua se do t’i ndërpritej me një vendim tjetër masa e arrestit shtëpiak”, ka shtuar Haxhiu.

Sipas saj, sistemi gjyqësor “për shkak të përvojës së mbrapshtë në mungesë të dënimit të peshqve të mëdhenj po vazhdon të mos këndellet nga gjendja e vet duke toleruar kështu arratisje e përsëritje të veprave kriminale.”

“Kjo gjë është tejet shqetësuese dhe do të duhej të shërbente si alarm jo vetëm për rastin specifik, por për të tilla raste në përgjithësi. Sistemi gjyqësor ekziston pikërisht për t’i dhënë qytetarëve drejtësi e siguri, jo frikë dhe panik. Ata duhet të jenë në anën e ligjit, të të dëmtuarve dhe mbi të gjitha të interesit publik, jo në anën krimit, të fortëve e klaneve mafioze. Ky rast, përveç tjerash ngre dyshime edhe për përfshirje në korrupsion prandaj duhet të ketë një hetim profesional dhe përgjegjësi nga ata që mundësuan këtë arratisje”, ka përfunduar Haxhiu.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka paralajmëruar se pas arratisjes së Sekiraqës, veprimet e mëtejme do të bazohen në procedurat e parapara ligjore, aktvendimin dhe rekomandimet e organeve të drejtësisë. Njëkohësisht Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale policore ndaj të pandehurit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024