Ish-eprori i UÇK-së, Haxhi Shala do të ketë sot paraqitjen e parë, nga ora 14:00, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.
Paraqitja e parë do të mbahet në seancë publike. Haxhi Shala u arrestua më 11 dhjetor 2023 në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në bazë të fletarrestimit, urdhrit për transferim dhe Aktakuzës së Konfirmuar, të lëshuara nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Gjykatësi i Procedurës Paraprake konfirmoi aktakuzën kundër Haxhi Shalës më 4 dhjetor 2023. Versioni i redaktuar publik i aktakuzës së konfirmuar gjendet në faqen e internetit të DHSK-së. Ditën e arrestimit, i akuzuari mori një kopje të aktakuzës në gjuhën e tij amtare.
Sipas aktakuzës së Konfirmuar, midis së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Shala, në bashkëkryerje me individë të tjerë, ndër të cilët Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale të Januzit dhe Bahtijarit me dëshmitarin 1.
Sipas aktakuzës, kjo sjellje tregon se Shala synonte ta frikësonte dëshmitarin 1 dhe të pengonte persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzën e konfirmuar Haxhi Shala akuzohet për frikësim dhe tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.