Kai Havertz ka insistuar që kalimi te Chelsea në vitin 2020 ishte 100% hapi i duhur por e pranoi se sezoni i kaluar nuk ishte më i miri, pasi që ylli gjerman u largua nga “Stamford Bridge” për t’iu bashkuar Arsenalit.
Havertz nënshkroi me Arsenalin në një transferim që kapi shumën e 75 milionë eurove muajin e kaluar, dhe luajti ndeshjen e tij të parë për klubin dje, kur u inkuadrua nga banka rezervë në barazimin 1:1 me Nurnberg në një miqësore parasezonale, raporton KosovaPress.
Tani, Havertz ka reflektuar për kohën e tij te Chelsea pas ndeshjes së djeshme kundër Nurnberg.
“Nuk ishte sezoni më i mirë për Chelsean vitin e kaluar. Më duhet të them se gjithmonë do të jem falënderues për klubin, dhe për tifozët. Kam kaluar tre vite të mira. Ndonjëherë, nga jashtë ndoshta nuk duket kështu por ishte 100% hapi i duhur që të shkojë aty”, tha Havertz.
Në përgjithësi, Havertz fitoi tre tituj me Chelsean dhe shënoi 32 gola në 139 paraqitje në të gjitha garat me “Blutë”.