Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Enver Hasani ka deklaruar për KosovaPress, se tërheqja e kërkesës nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, drejtuar Gjykatës Kushtetuese, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe përbën shkelje flagrante të saj.
Sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, kjo tërheqje është djallëzore fund e krye dhe ka për synim bllokadën dhe paralizimin e vendimmarrjes në Gjykatën Kushtetuese lidhur me vendimin që pritet të merret deri më 8 gusht 2025, kur skadon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Osmani u arsyetua se ka tërhequr kërkesën për arsye se gjyqtar raportues është caktuar Radomir Laban dhe meqë i njëjti, sipas institucioneve të sigurisë, cenon sigurinë kombëtare.
Lidhur me këtë, Hasani tha se kjo arsye është një pretekst dhe turp i madh, si dhe një njollë e pashlyeshme për institucionin e Presidentit të Kosovës.
Kosova Press: Si po e shihni vendimin e presidentes Osmani për të tërhequr kërkesën e saj në Gjykatën Kushtetuese, në lidhje me sqarimin për pasojat juridike me rastin e tejkalimit të afatit 30-ditor për moskonstituimin e Kuvendit?
Hasani: Kjo tërheqje është djallëzore fund e krye dhe ka për synim bllokadën dhe paralizimin e vendimmarrjes në Gjykatën Kushtetuese lidhur me vendimin që pritet të merret deri më 8 gusht 2025, kur skadon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Kërkesa e saj ka qenë fiktive dhe qartazi e pabazuar. Ajo është juriste dhe e di mirë këtë gjë. Por ka paraqitur kërkesën me qëllim të goditjes së Gjykatës Kushtetuese, duke ditur që ky institucion ka vetëm 7 gjyqtarë, sa është kuorumi, dhe se duke eliminuar njërin prej tyre, do të paralizonte e bllokonte Gjykatën për çdo vendimmarrje në proces e sipër lidhur me kushtetutshmërinë e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Kosova Press: Arsyetimi i saj ishte se për këtë rast është caktuar gjyqtari Radomir Laban. Sa i shihni valide pretendimet e saj?
Më lejoni t’ju them se Gjykata Kushtetuese, sipas Kushtetutës dhe Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, ka mekanizma dhe instrumente vetëimunizuese për të tejkaluar situatat fiktive dhe djallëzore si kjo e krijuar nga zonja Osmani. Dua të besoj se Gjykata nuk do t’i nënshtrohet këtij shantazhi dhe do të vazhdojë me punën e saj dhe të vendosë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.