Kryetari i Nderit i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka falënderuar qytetarët në Kosovë dhe diasporë për besimin e dhënë në zgjedhje, duke vlerësuar se mbështetja e tyre përfaqëson angazhim për vazhdimin e rrugës drejt një Kosove të zhvilluar, sovrane dhe demokratike.
Përmes një mesazhi publik, Haradinaj tha se është mirënjohës për çdo angazhim dhe përkrahje të votuesve që, sipas tij, i besuan vizionit të Aleancës për siguri, zhvillim dhe një drejtim të ri politik.
Ai ka theksuar se e kupton lodhjen e qytetarëve nga proceset e përsëritura zgjedhore, duke shtuar se vota e marrë këtë herë ka “vlerë të shumëfishtë”, si shprehje e besimit për punën e deritanishme dhe synimet e ardhshme të subjektit politik.
Haradinaj ka vlerësuar gjithashtu listën zgjedhore të Aleancës, duke përmendur se kësaj radhe asaj i priu Ardian Gjini.Në fund, ai uroi qytetarët dhe institucionet e përfshira në organizimin e procesit zgjedhor, duke shprehur besimin se zgjedhjet kanë qenë të lira, të ndershme dhe demokratike.