Haradinaj prezanton paketën e reformave për sektorin e gastronomisë
Zgjedhjet 2025
Lexohet për: 2 min.
5 ditë më parë
Linku u kopjua
Kandidati për kryeministër nga Koalicioni Kosova Fituese, Ramush Haradinaj gjatë një takimi sot me gastronomët në Shkabaj, ka prezantuar një paketë gjithëpërfshirëse të reformave në këtë sektor.
Ai ka thënë se bëhet fjalë për masa konkrete që synojnë lehtësimin e barrës fiskale dhe përmirësimin e kushteve të operimit për bizneset e këtij sektori.
“Ka rëndësi shumë përveç TVSH-së që të mos bëhet përpara se të shitet malli, përveç lehtësirave që do t’i bëjmë për prodhues dhe bizneseve që janë për eksport e të tjera. Ligji për investime strategjike, por që është ligj që shkruhet në kritere që jo vetëm biznesmeni, por edhe një qytetar që i ka 5 mijë apo 10 mijë euro të mund të blejë aksione, të bëhet aksionar”, u shpreh Haradinaj.
Kreu i AAK-së potencoi se do ta rikthejë për shqyrtim Ligjin për Mbrojtjen nga Zhurma, që do të sigurojnë mbrojtje më të mirë për bizneset.
Ai gjithashtu ka prezantuar planin që parasheh uljen e TVSH-së në 8% për katër vjetët e ardhshme, e cila do të shoqërohet me reduktimin e tarifave në produktet bazë dhe uljen e normave tatimore në paga dhe fitim nga 10% në 9%.
Haradinaj tha se sa i përket Ligjit për Duhanin, do të merret modeli austriak, ku do të ketë pagesa të hapësirës për duhanpirje.