Haradinaj: Nëse e udhëheq prapë vendin, do të bëjë zgjidhje përfundimtare për kategoritë e luftës
Lexohet për: 4 min.
tryeza
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) organizoi tryezë diskutimi për problematikat e kategorive të lirisë, kërkesat, nevojat e tyre si dhe shoqatave që përfaqësojnë këto kategori.

Aty u theksuan problematikat me ligjin për pagën minimale, pritjet e gjata për pajisje me proteza për invalidët dhe marrjen e shërbimeve të tjera mjekësore, anashkalimin e kërkesave të kategorive të luftës dhe mohimin e të drejtave të tyre.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj u zotua se nëse në të ardhmen do tu jepet mundësia për të udhëhequr vendin, ndër punët e para që do të bëjnë, do të jetë një status i drejtë, ligjor dhe i përjetshëm për kategoritë e lirisë. Ai tha se do të bëjnë zgjidhje përfundimtare dhe serioze.

Haradinaj përmendi se falë angazhimit dhe luftës së dëshmorëve dhe të  personave që tashmë janë pjesë e këtyre kategorive, Kosova gëzon lirinë si shtet

“Falë angazhimit tyre për liri, ne e dimë që shumë familje kanë shumë dhimbje për të pagjeturit, pastaj për martirët, për dëshmorët...Për fat të keq, kategoritë e lirisë, gjatë e kanë vazhduar një luftë për statusin e tyre ligjor, kushtetues në vend dhe ende sot e kësaj ditë nuk është i zgjidhur në plotni ky status...Nëse na jepet mundësia prapë në të ardhmen për të mbajtur përgjegjësi në vend ose me udhëheq me vendin, nuk do të lejojmë që të përsëritën situatat e të kaluarës. Ndër punët e para që do ta kryejmë do të jetë një status i drejtë, ligjor i pa prekshëm, i përjetshëm për kategoritë e lirisë. Do të shkojmë me një zgjidhje përfundimtare, të përhershme, të përjetshme, jo të pjesshme. Kjo zgjidhe do të jetë serioze, jo vetëm atë që e kemi deklaruar, e konfirmoj dyfishim i çdo lloj të ardhure", tha Haradinaj.

Ushtruesi i detyrës së OVL–UÇK-së, Faton Klinaku tha janë ndërruar disa qeveri që nga pas lufta, por nuk është bërë sa duhet për kategoritë e luftës.

Ai potencoi se paga prej 170 eurove, me inflacionin në Kosovë vlen sikur të ishin 70 euro.

Klinaku tha se nuk kanë arritur të kenë asnjë bashkëpunim me qeverinë Kurti sa i përket kërkesave të kategorive të lirisë.

Ai theksoi se me ndarjen e veteranëve si kategori e veçantë duke i lënë nën pagën minimale, Kurti bënë të qartë se është kundër luftës çlirimtare dhe vlerave të saj.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së familjeve të dëshmorëve të luftës së UÇK-së, Xhavit Jashari, tha se kërkesat e tyre nuk merren seriozisht as nga deputetët.

Ai përmendi faktin se u kanë bërë thirrje deputetëve që veteranët mos të trajtohen me ligj të veçantë, por njëjtë si kategoritë e tjera.

Në këtë tryezë u diskutua se këto kategori nuk janë të privilegjuara ashtu siç e meritojnë, porse janë të sakatuara, duke u mohuar të drejtat e tyre.

Përfaqësuesi i shoqatës së invalidëve të luftës, Fadil Shurdhaj tha se kanë pasur vështirësi me proteza përgjatë katër viteve të kësaj qeverisje.

Si sfida ai përmendi edhe trajtimet jo adekuate që bëhen ndaj këtyre kategorive, për çka përmendi edhe shërimin jashtë vendit.

Ai tha se presin me muaj e deri me vite për të marrë shërbime mjekësore.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024