Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kujtoi sot vëllezërit Bytyçi, në përvjetorin e vrasjes së tyre.
Ai potencoi se shteti serb, përpos që i ka ekzekutuar vëllezërit Agron, Yll dhe Mehmet Bytyçi dhe shumë shqiptarë tjerë, vazhdon me injorimin dhe mohimin e krimeve “dhe me dekorimin e kriminelëve të luftës, mes tyre edhe ata që dyshohen se vranë vëllezërit Bytyqi”.
“Agron, Yll dhe Mehmet Bytyqi, shtetas amerikanë, iu bashkuan rreshtit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në përpjekjet më vendimtare për lirinë e atdheut. Vetëm pak ditë pas përfundimit të luftës u arrestuan nga shteti serb, ku më pas u ekzekutuan. Shteti serb, përpos që i ekzekutoi ata dhe shumë shqiptarë tjerë, vazhdon me injorimin dhe mohimin e krimeve dhe me dekorimin e kriminelëve të luftës, mes tyre edhe ata që dyshohen se vranë vëllezërit Bytyqi. Sot e çdo ditë ndajmë dhembjen me familjen Bytyqi - me bacën Ahmet e me zonjën Bahrije dhe bashkëluftëtarët e “Atlantikut.”.", shkroi Haradinaj në Facebook.
Ai shtoi se nuk do të ndalen në përpjekjet për të çuar drejtësinë në vend për krimin e dëshmuar dhe vrasësit ta marrin dënimin e merituar.