Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj thotë se Prishtina nuk duhet të mbetet peng i Asociacionit dhe se zgjidhja e kësaj çështjeje është rruga e vetme për të arritur tek marrëveshja finale Kosovë-Serbi.
Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një prej çështjeve që ka krijuar tension mes Prishtinës dhe Beogradit, por edhe mes Prishtinës e faktorit ndërkombëtar.
Haradinaj tha gjithashtu se i ashtuquajturi propozimi evropian, i cili sipas tij në fakt është më shumë amerikan, është një mundësi reale që Kosova të “divorcohet” nga Serbia.
Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, pas takimit me përfaqësues të klasës politike dhe shoqërisë civile, ambasadori amerikan në Kosovë, ritheksoi se çështja e krijimit të Asociacionit është një çështje urgjente dhe tani pritet propozimi i palës shqiptare për të. Cili është mendimi juaj, a duhet të krijohet Asociacioni?
Zëri i Amerikës: Uashingtoni dhe Brukseli e kanë thënë qartë se procesi i Asociacionit duhet të ecë paralel me planin e BE-së, pra sipas tyre janë procese të ndara, që nuk kushtëzojnë njëri-tjetrin. A mendoni se debati në Kosovë për Asociacionin duhet të fillojë pa vonesë?
Ramush Haradinaj: Debati është çdo herë i duhur. Çështja e Asociacionit ka fituar peshë me zhvillimet e fundit, pra krizat e njëpasnjëshme në veri dhe tensionet atje. Kjo është mundësia e vetme, nuk ka rrugë tjetër as Kosova as palët e tjera për të arritur tek marrëveshja përfundimtare, pa i dhënë një epilog çështjes së Asociacionit. Asociacioni për Kosovën është një obligim i marrë me kohë, por për fat të mirë është obligim kushtetues dhe ligjor, pra nuk del jashtë Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Ramush Haradinaj: (Modeli) që rrjedh nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Pra, ne nuk kemi arsye të përzgjedhim një model të huaj. Ne kemi një marrëveshje për Asociacionin dhe kemi vendimin e gjykatës që sqaron se çfarë është Asociacioni. Asociacioni është “Sui-Generis” (unik), pra nuk mund të merren modele nga vende të tjera për shkak se situata dhe arritja deri tek ky obligim është një situatë e veçantë. Asociacioni është i Kosovës, për njerëz të Kosovës, për komuna të Kosovës dhe synon integrimin e serbëve në institucionet e vendit dhe shkëputjen e varësisë nga Serbia. Dua të përsëris edhe një herë, se Amerika po e ndihmon Kosovën për të kaluar pengesën e fundit për të arritur tek marrëveshja përfundimtare, tek propozimi franko-gjerman, për të cilin unë besoj se është më shumë amerikan. Unë personalisht dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e mbështesim arritjen e kësaj marrëveshjeje, sepse e shohim shumë me rëndësi kohën, pra e shohim me urgjencë arritjen e marrëveshjes, në mënyrë që të hapet perspektiva për partneritet për paqe dhe (anëtarësim) në NATO për Kosovën, çka garanton sigurinë tonë.
Është koha më serioze që kemi pas ndonjëherë. Duhet të tregojmë seriozitet dhe nuk guxojmë të bëjmë përllogaritje të vogla. Duhet ta ndihmojmë vendin, të ndihmojmë aleatët tanë, në këtë rast posaçërisht Uashingtonin, që t’i kalojmë pengesat, pra t’i zgjidhim të gjitha çështjet që kanë mbetur të hapura, në mënyrë që të arrijmë tek marrëveshja përfundimtare. Personalisht i jap një përkrahje këtij procesi dhe arritjes së marrëveshjes me Serbinë.
Ramush Haradinaj: Dallojnë shumë si tema, Mali i Zi është anëtar i NATO-s. Edhe pse ishte një obligim ndërkombëtar, e kemi bërë në një klimë të mirë me Malin e Zi. Arritja e një marrëveshjeje për njohje me Serbinë, që në përmbajtje ka njohjen, është vërtet rezultat i madh i faktorit ndërkombëtar në këtë rast. Pra faktori ndërkombëtar është shtytësi. Unë e inkurajoj qeverinë tonë që ta shfrytëzojë këtë energji të madhe, që vjen edhe për shkak të luftës në Ukrainë dhe dëshirës së madhe të NATO-s dhe Amerikës për ta larguar Rusinë nga Ballkani. E vetmja mënyrë për ta larguar Rusinë nga një pjesë e Ballkanit është arritja e marrëveshjes me Serbinë sepse Kosova menjëherë fillon perspektivën për Parneritet për Paqe.
Zëri i Amerikës: Sa i përket marrëveshjes me Serbinë si e shihni ju atë në dritën e propozimit evropian, çfarë forme duhet të kishte ajo?
Zëri i Amerikës: Pavarësisht se çështja e njohjes nuk përfshihet në mënyrë eksplicite?
Ramush Haradinaj: Njohja është realisht në çdo kapitull të kësaj marrëveshje, por nuk e ka kaluzolën e njohjes në marrëdhënie dypalëshe, por Serbia e njeh Kosovën në rrafshin ndërkombëtar.
Ramush Haradinaj: Uashingtoni dhe Amerika e duan Kosovën, e duan popullin e Kosovës, shtetin e Kosovës. Ka vështirësi tani, le ta quajmë në menaxhim të axhendës me qeverinë aktuale. Por janë jashtëzakonisht të afërt dhe bashkëpunues me të gjithë ne, që pa interesa të tjera, pra pa interesa të vogla, dëshirojmë të ndihmojmë interesat kombëtare, tema të mëdhaja. Siç shihet, ne jemi të mirëpritur këtu. Përshembull unë kam qënë në Departamentin e Shtetit, në Kongres dhe Senat, Këshillin e Sigurisë Kombëtare, kam takime në Departamentin e Mbrojtjes dhe kam shumë takime që në të vërtetë tregojnë respektin edhe për Kosovën.
Zëri i Amerikës: Ju, por jo përfaqësues të qeverisë.